Konfliktet mes të rinjve jo rrallëherë eskalojnë në përleshje fizike, e në përdorim të mjeteve të ndryshme që mund të jenë fatale. Një rast i tillë ka ndodh para disa ditësh në rrugën “Drenica” në Podujevë, ku për pasojë një 18-vjeçar ka mbetur i vdekur.

Bëhet fjalë për Lulzim Fejzullahun i cili ka ndërruar jetë sot në spital, pas plagëve vdekjeprurëse që kishte marrë.

Gazeta Sinjali mëson se dy të dyshuarit që e rrahën brutalisht 18 vjeçarin janë të miturit: E.K., 16 vjeç dhe A.A., 17 vjeç.

Për rastin ka folur edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“…lidhur me rastin e dt. 15 janar 2024, në Podujevë, ku pas një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën (tashmë të ndjerin, 18 vjeç), duke i shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor”, njofton Themelorja.

Prokuroria Themelore në Prishtinë po ashtu zbulon se po atë ditë me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale “Vrasje në tetnativë” (tashmë vrasje).

“Brenda afatit ligjor, pranë gjykatës kompetente, prokurori ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarit, e cila është aprovuar dhe të dyshuarit aktualisht ndodhen nën masën e paraburgimit”.

Me vendim të Prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML, për obduksion.