Gjykata e Apelit ka kthyer për rigjykim çështjen e vrasjes së 18-vjeçarit në Podujevë.
Ky vendim anulon aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin i mituri i parë ishte dënuar me 10 vjet burgim dhe i mituri i dytë me 9 vjet burgim.
Sipas vlerësimit të kolegjit të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, kryetarja e trupit gjykues, Lumnije Krasniqi ka qenë gjyqtare e procedurës paraprake në të njëjtin rast penal.
Apeli vlerëson se gjyqtarja Krasniqi është dashur të përjashtohet nga gjykimi i kësaj çështjeje penale.
Në vendimin e Apelit theksohet se gjykatësja për të mitur në fazat paraprake ka marrë pjesë në këtë çështje penale në procedurën përgatitore, duke ua caktuar dhe vazhduar masën e paraburgimit dy të miturve.