Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka nxjerr një dokument me një përmbledhje të rrjedhës së ngjarjeve rreth largimit të pjesëtarëve serbë nga Forca për Sigurinë e Kosovës.
Sipas rezultateve të hulumtimit të QKSS-së, plani për largimin e mbi 60 pjesëtarëve serb është bërë si pjesë e një operacioni të mirë-planifikuar psikologjiko-ushtarak, i orkestruar nga elemente të inteligjencës ushtarake nga Beogradi dhe Vranja.
QKSS ka dalë me disa rekomandime me qëllim që të njëjtat t’i shërbejnë krijimit të qëndrueshmërisë në procesin e integrimit të komunitetit serb në FSK. Sipas QKSS-së, Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me praninë ndërkombëtare në Kosovë duhet të bëjnë plan për të parandaluar largimin tutje të pjesëtarëve të FSK-së, dhe shtetet e Quint-it duhet të kushtëzojnë Serbinë në kontekst të integrimit në BE lidhur me veprimtarinë e saj të vazhdueshme në dëm të FSK-së dhe institucioneve të tjera.
Gjithashtu, QKSS rekomandon Qeverinë e Kosovës të fokusohet në një proces të tranzicionit të FSK-së nëpërmjet ndryshimeve të ligjit, meqë sipas QKSS tani janë humbur shpresat se procesi i ndryshimeve kushtetuese mund të jetësohet.
“Mungesa e besimit të pjesëtarëve të këtij komuniteti karshi FSK-së, mospërkrahja e ndryshimit të mandatit të kësaj force si dhe kërcënimet e vazhdueshme dhe sulmet direkte ndaj pjesëtarëve serb të FSK-së, kanë shtyrë qe në vitin 2018 mbi 60 pjesëtarë të këtij komuniteti të largohen nga FSK”, thuhet në raport.
Plator Avdiu hulumtues në QKSS tha se Serbia ka shantazhuar në forma të ndryshme pjesëtaret serbë në FSK.
“Në rast se ka bllokime nga ana e komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës, është plani B që i mundëson Kosovës të bëjë tranzicionin e FSK-së në ushtri, për shkak se Kushtetuta nuk e ndalon. Kushtetuta vetëm e ka një nen që e thotë se ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen përmes dy të tretave, duke marrë parasysh edhe dy të tretat e pakicave, por Kushtetuta nuk e ndalon që Kosova të ketë ushtri, por është ligji aktual që i vendosë disa kufizime. Tash dihet që një prej kundërshtarëve më të mëdhenj është Serbia e cila përmes eksponentëve të saj qoftë qeveritarë Beograd apo Kosovë, ose qarqeve të cilat për institucionet e Kosovës janë olega,e ka shantazuar ka bërë presion dhe ka ndikuar që numër i madh i tyre të largohen muajt e fundit nga FSK-ja, duke i shantazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë”, tha Avdiu.
Në prezantimin e këtij raporti u tha se Serbia ka kryer agresion ndaj institucionit të FSK-së duke ndikuar me dhunë në largimin e pothuajse 50 përqind të pjesëtarëve të FSK-së.
Shpat Balaj, autor i raportit tha se janë shuar të gjitha shpresat që në Kosovë transformimi i FSK-së të bëhet me ndryshime kushtetuese.
“Kjo shënon një prej ndërhyrjeve më brutale të një faktori të jashtëm në institucionet e Kosvëës, dhe në anën tjetër vë në pah pamundësinë e institucioneve të Kosovës për ta shtrirë ndikimin e tyre në komunat me shumicë serbe, përkatësisht në veri të vendit” , tha ai.
Sipas tij, është pikërisht hapja e këtij debati ajo që i ka intensifikuar përpjekjet e Serbisë për me dëmtu FSK-në dhe parimin e multi-etnicitetit të saj, rrjedhimisht për me pengu procesin e transformimit të këtij institucioni.
“Ne konsiderojmë që ky proces duhet me vazhdu, me ose pa përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare sepse FSK deri tash ka dëshmu që fillimi i saj është vetëm sigurimi i stabilitetit dhe sigurisë në vend dh rajon. Ne konsiderojmë se me transformimin e saj siguria në rajon veç do të rritej dhe do të ishte më stabile”, tha Balaj.
Ai tha se këto përpjekje po bëhen duke e keqpërdorë pozitën e tanishme të komunitetit serb në Kosovë.
Ndërsa Faruk Geci nga Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës tha se duhet të ndalohet presionet politike mbi pjesëtarët e FSK-së.
“FSK dhe institucionet e Kosovës i kanë ofruar komunikim të vazhdueshëm, sugjerime pjesëtarëve, i kanë informuar të gjitha institucionet, partnerët ndërkombëtar, të gjithë kanë qenë të informuar për këtë presion të vazhdueshëm. Mirëpo duhet kuptuar, cili ka marrë një lloj vendimi dhe ka thënë që unë për momentin nuk mund të vazhdoj për arsye të rrezikut tim personal sepse edhe komuniteti brenda në disa raste i ka trajtuar pak më ndryshe, edhe në aspektin e lagjes, fshatit apo komunës ku jetojnë. Ka qenë vendimi i tyre, nuk ka qenë ne të dërgojmë polic në shtëpitë e tyre, se nuk ka qenë ai qëllimi dhe nuk mund të ndodh ashtu, por ideja është që duhet të ndalojmë procesin ose të ndalojmë ndikimet politike mbi ta”, tha Geci.
Në këtë vit, rreth 60 pjesëtarë të komunitetit serb u larguan nga FSK.
Sipas QKSS ndërhyrjet në FSK kanë për qëllim rrënimin e multi-etnicitetit dhe të arriturave të deritanishme të FSK-së.