Numri i pjesëtarëve serbë që kanë paraqitur kërkesa për t’u larguar nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka arritur në 51. Largimi i tyre erdhi si pasojë e kërcënimeve dhe presioneve nga Beogradi.

Madje disa janë sulmuar, ndaluar gjatë kalimit kufitar në Serbi si dhe janë kërcënuar për dënimin deri në 10 vjet burgim, për shkak të pjesëmarrjes së tyre në “formacionet e huaja të armatosura”.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrustem Berisha, në një intervistë për Ekonomia Online tha se ata nuk kanë mundur t’u bëjnë ballë presioneve të jashtme dhe kanë vendosur kundër vullnetit të tyre të heqin dorë nga karriera profesionale.

“Në bazë të të dhënave që i kemi, deri më tani 51 pjesëtarë kanë bërë kërkesën për shkëputjen e kontratës dhe shumica e arsyeve janë presionet nga jashtë që nuk kanë mundur t’i përballojnë dhe është për keqardhje që ata nuk kanë mundur, ne e kuptojmë situatën. Kjo është një betejë të cilën e fitojnë vetëm ata që qëndrojnë 1 minutë më gjatë”.

Berisha vlerëson se edhe ndërkombëtarët duhet të luajnë rolin e tyre në parandalimin e presioneve nga jashtë ndaj pjesëtarëve të FSK-së për të braktisur këtë forcë.

Ai njoftoi se kryeministri Ramush Haradinaj u është drejtuar me një letër të gjithë ambasadorëve të shteteve që e kanë njohur Kosovën dhe NATO-s.

Berisha tutje tha se FSK-ja dhe institucionet tjera janë të angazhuara që të shfaqin mbështetjen ndaj komuniteteve joshumicë, në këtë rast ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së.

“Mendoj se edhe faktori ndërkombëtar duhet ta ketë rolin e vet, sepse nuk është vetëm synim i yni, por edhe i NATO-s dhe partnerëve tanë që të ndërtojmë një forcë të sigurisë multi-etnike”.

“Sigurisht që ndikimi i tyre do të jetë shumë i dobishëm në parandalimin e presioneve nga jashtë. Ne do të jemi afër dhe do t’u ndihmojmë pjesëtarëve serbë që të përballojnë këtë presion dhe të marrin një vendim të drejtë për të ardhmen e tyre”, tha ai.

Berisha shtoi se që asnjë nga arsyetimet e dhëna në kërkesat për dorëheqje, nuk kanë të bëjnë me ndonjë presion brenda FSK-së.

“Kur i kemi analizuar të gjitha ato kërkesa që i kanë drejtuar për shkëputje të kontratës ose për largim nga FSK-ja, asnjë arsyetim nuk ka ardhur për shkak të ndonjë presioni brenda FSK-së dhe kjo neve na bënë të ndihemi krenar që është krijuar ambient i përshtatshëm dhe që FSK është shtëpi për të gjithë qytetarët e saj”.

Ministria e FSK-së nuk ka marrë ende ndonjë vendim rreth kërkesave të pjesëtarëve serbë për largim, pasi ato janë duke u shqyrtuar sipas procedurave të parapara, të cilat kërkojnë 6 muaj kohë.

Por kur të përfundojnë procedurat e largimit, ministria planifikon të hapë konkurs për plotësimin e pozitave të mbetura bosh dhe, sipas ministrit, ka interes të jashtëzakonshëm të serbëve që t’i bashkohen FSK-së.

“Në momentin që përfundon procedura e kërkesave, do të hapet edhe konkursi për plotësimin e vendeve të lira nga komuniteti serb, ka interesim të jashtëzakonshëm që të kyçen. FSK-ja është forcë ku ka hyrje-dalje, nëse dikush e shkëput kontratë dhe dëshiron sërish të rikthehet, duhet të nis nga fillimi dhe është problem”, tha Berisha.