Garazhet, të cilat janë në oborrin e ndërtesës së Partisë Demokratike të Kosovës, do të bëhen me pronar. Ai që do të mund t’i shfrytëzojë këto garazhe, që ngjallen shumë polemika, është deputeti i PDK-së, Latif Gashi.
Së fundmi, Latif Gashi i ka regjistruar në komunë si objekte pa leje, për t’iu nënshtruar në shtator procesit të legalizimit të këtyre objekteve. Këtë e ka pohuar edhe vetë deputeti Gashi, i cili ka treguar se këto garazhe janë regjistruar në emër të tij, edhe pse thotë se asnjëherë nuk i ka shfrytëzuar, raporton KTV.
Mirëpo, ky aplikim, ish-drejtorit të Drejtorisë së Shërbimit Informativ të Kosovës, për legalizimin e këtyre garazheve, mund t’i shkojë huq. Kjo pasi që të gjitha ndërtimet pa leje, të cilat nuk janë në ortofoto, nuk mund të trajtohen me ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, e që rrjedhimisht ato janë subjekt për rrënim.
E këto garazhe, sipas zëdhënëses së komunës së Prishtinës, nuk ndodhen në incizimin ortofoto.
Të njëjtat garazhe, Latif Gashi nuk i ka deklaruar fare në Agjencinë Kundër Korrupsion si pronë të tij.
Ndërkaq, KTV-ja merr vesh se toka në të cilën ndodhen garazhet është në posedim të 2 bashkëposeduesve, ndërmarrjes për prodhimin e drithërave-“DRITHNAJA” dhe Odës Ekonomike të Kosovës.