Njëri nga komandantët e UÇK-së, tashmë deputet i PDK-së, Latif Gashi, në rrjetin social Facebook ka shprehur pakënaqësinë e tij në lidhje me listat e publikuara nga Komisioni për Verifikim.
Gashi që gjatë luftës ka qenë shef i shërbimit ushtarak në Zonën Operative të Llapit, ka reaguar duke thënë se nëse nuk bëhen përmirësime në listën përfundimtare, ai nuk do të pranojë të jetë pjesë e kësaj liste.

“Meqë ka gabime apo lëshime të shumta, natyrisht ka edhe pakënaqësi dhe shqetësime tek të gjithë Andaj, kam propozuar që urgjentisht të thirren në një takim zyrtar: komandantët e togjeve, kompanive, batalioneve, brigadave, njësive tjera vartëse, si dhe ish anëtarët e Komandës, e të kërkojmë urgjentisht t’i bëjnë përmirësimet, heqjen nga kjo listë të personave, anëtarëve të familjeve etj., që nuk kanë qenë veteranë lufte. Bashkëluftëtarët tanë kanë pritur tani e 16 vite t’ju njihet kjo e drejtë. Është tepër e padrejtë dhe e pamoralshme t’ua mohojmë këtë duke i barazuar me ata që nuk ishin veteranë. Nëse nuk bëhen këto përmirësime në listën përfundimtare, unë nuk do të pranoj të jem pjesë e kësaj liste”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Gashi gjatë luftës ka mbajtur pozita të larta komanduese, ndërkaq pas luftës ka qenë edhe drejtor përgjithshëm i Shërbimit Informativ të Kosovës, deri në shuarjen e tij në vitin 2008.