Qytetarë të Podujevës dhe fshatrave përreth kanë marrë pjesë në dëgjimin publik, që u mbajt sot, lidhur me Kornizën Afatmesme Buxhetore 2019/21 mbi bazën e Qarkores Buxhetore 2019/01.
Në sallën e Kuvendit të Komunës së Podujevës, sot është mbajtur dëgjimi i tretë publik për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2019/21 mbi bazën e Qarkores Buxhetore 2019/01 të Ministrisë së Financave si dhe projeksionet fillestare të projekteve kapitale, që do të përfshihen në Projektbuxhetin e Komunës, e ku ishin të pranishëm drejtorët e Ekzekutivit të Komunës.
Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, tha se qëllimi i këtyre dëgjimeve është që qytetarët të paraqesin nevojat dhe prioritetet e investimeve në secilin lokalitet, me qëllim që në planifikimet buxhetore të hyjnë projektet që janë me interes të tyre.
Më tej, drejtori Latifi tha se me projeksionet buxhetore për tri vitet e ardhshme janë planifikuar investime në infrastrukturë, të cilat do të ndihmojnë zhvillimin ekonomik, shërbime më efikase komunale dhe krijimin e të hyrave vetanake.
Drejtori Latifi tha se buxheti i Komunës për vitin 2019 pritet të jetë rreth 22 milionë euro, nga të cilat rreth shtatë milionë euro do jenë për investime kapitale.
Ai kërkoi nga qytetarët që të kontribuojnë me propozime për investime në projekte konkrete, të cilat do të shqyrtohen nga ekzekutivi i Komunës.
Gjatë debatit, qytetarët kanë bërë propozime dhe kërkesa konkrete për nevojat në investime, qoftë në infrastrukturë apo edhe në subvencionime, të cilat do të përfshihen në projeksionet fillestare të investimeve kapitale në Kornizën Afatmesme Buxhetore 2019/21.
Drejtorët komunalë kanë regjistruar kërkesat e qytetarëve dhe kanë dhënë sqarime për mundësinë e përfshirjes së projekteve të propozuara në buxhetin e Komunës për vitin 2019.
Dëgjimet publike për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2019/21 janë mbajtur edhe në Lluzhan dhe në Kërpimeh./Llapi.info