Dega e Lëvizjes për Bashkim në Podujevë ka reaguar pas njoftimit të Qeverisë së Kosovës për inkuadrimin e pjesëtarëve të të ashtuquajturës “Mbrojtja civile” në Policinë e Kosovës.

Në një reagim të kësaj partie, thuhet se Qeveria nuk e ka problem që kriminelët serbë t’i fut në institucionet e vendit, raporton Koha Ditore.

“Mjerimi i popullit shqiptar është të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia jonë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të ngjashme. Më mirë është të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shpirtrat tonë nga dashuria për individët, sepse asnjë njeri në botë nuk është i përkryer dhe mu këtu bëhen gabimet e mëdha ku pushtetarët tanë bëhen të paprekshëm”, thuhet në reagimin e Degës së LB-së në Podujevë.

“Ne luftën e fituam, por ne si qytetarë me votëbesimin që po ua japim (pushtetarëve) po u krijojmë besim të tepruar dhe këtu është e pamundshme të mos ketë gabime. Ka përplot atdhetarë dhe patriotë që për hatër të individëve të caktuar shkojnë në ekstrem duke i mbrojtur kolegët e tyre për t’i mbrojtur ata.
Ne duhet të mësojmë ta duam vendin tonë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij individi çfarëdo të kaluare që ka”.

Zyrtarët e LB-së thonë gjithashtu se Qeveria e Kosovës nuk është duke kursyer asnjë mjet kundër popullit të vet për të instaluar “minishtetin serb” në Kosovë.

“Nga kjo, dua të them se edhe pse sot Qeveria e Kosovës e ka shumicën absolute nuk e ka problem fare që kriminelët serbë t’i fut në institucionet e Kosovës, madje edhe më keq kur është në gjendje të mos kursejë asnjë mjet kundër popullit shqiptar për të instaluar minishtetin serb në Kosovë”, përfundon reagimi.