Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka mbajtur sot mbledhje nën kryesimin e kryetarit Isa Mustafa, ku u diskutua për procesin e zgjedhjeve të brendshme në LDK. Në komunikatën për media thuhet se ata që nuk janë në gjendje të respektojnë rregullat e partisë, duhet të tërhiqen për të mos dëmtuar procesin.

Siç thuhet në komunikatën për media, Kryesia vlerësoi se procesi ka avancuar dhe se është përfunduar në një pjesë të konsiderueshme të degëve, në një atmosferë të garës dhe të konkurrencës së brendshme.

“Zgjedhjet po përcillen me një interesim të shtuar për anëtarësime dhe prurjeve të reja nëpër degë. Procesi zgjedhor është i rëndësishëm për forcimin dhe rigjenerimin e LDK-së si parti shtetformuese dhe tepër e rëndësishme për të gjitha proceset që ka kaluar dhe po kalon Kosova. Në këtë prizëm, LDK sheh edhe interesimin e medieve dhe të publikut për zgjedhjet në LDK”, thuhet në komunikatë.

Tutje, thuhet se Kryesia e LDK-së rikonfirmoi qëndrimin e saj dhe të Këshillit të Përgjithshëm për një proces demokratik dhe të paimponuar nga asnjë palë dhe nga asnjë individ.

“Gara në LDK zhvillohet si sfidë dhe konfirmim i individëve para anëtarësisë. Tentimet që dikush të vjen në struktura të LDK-së përmes rrugëve të tjera, veçmas dhunës siç ishte rasti në një nëndegë në Degën e LDK-së në Mitrovicë, janë të papranueshme dhe jashtë kulturës dhe sjelljes së LDK-së. Prandaj, ata që nuk janë në gjendje të respektojnë rregullat, duhet të tërhiqen dhe mos ta dëmtojnë procesin, sepse si të tillë do të jenë të papranueshëm”, thuhet në komunikatën nga LDK-ja.

Kujtojmë se dy ditë më parë, një përplasje fizike mes pjesëtarëve e zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka ndodhur në nëndegën e qendrës në Mitrovicë. Kryetari i degës së LDK-së në këtë qytet, Safet Kamberi, ka thënë se në Kuvendin e kësaj dege ka pasur tendenca të njerëzve të padëshirueshëm që ta sulmojnë Fisnik Çitakun i cili është në garë për kryetar të degës.