Kryesia e Degës së LDK-së në Podujevë ka mbajtur takim me përfaqësuesit e nëndegëve të saj, ku ka diskutuar për zhvillimet në sektorin e bujqësisë dhe format e mbështetjes nga niveli qendror dhe lokal, për fermerët llapjanë, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së Podujevë, përcjell Llapi.info.
Për mbështetjen në sektorin e bujqësisë të pranishmit u informuan nga zëvendësministëri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Vezir Januzi, dhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (DBPZHR), Avni Fetahu.
Udhëheqësi i këtij takimi ishte Kryetari i Degës së LDK-së në Podujevë, Agim Veliu i cili tha se këto takime po bëhen me qëllim të shkëmbimit të informacioneve mes ekzekutivit dhe përfaqësueseve të nëndegëve, në mënyrë që këto informacione të barten edhe tek qytetarët e tjerë, në këtë rast, fermerët.
Në këtë takim ata folën për format e mbështetjes, mënyrat e aplikimit për grante dhe ofruan informacione të tjera në favor të fermerëve llapjanë.
Në njoftimin e Degës së LDK-së në Podujevë thuhet se takimet tematike do të vazhdojnë edhe gjatë javëve të tjera, ku do të jenë të pranishëm edhe anëtarë të dikastereve të tjerë të ekzekutivit të Komunës./Llapi.info