Lidhja Demokratike e Kosovës po bëhet gati për zgjedhje të reja.
Sipas komunikatës për media të LDK-së, fillimisht do të marrin legjitimitetin nga vota e popullit në zgjedhjet e reja e më pas do të udhëheqin edhe me dialogun në fazën e tij të fundit.
Ndryshe nuk bën, është qëndrimi kësaj partie i dalur pas takimit të kryetarëve të degëve me kryetarin Isa Mustafa.
“Të gjithë kryetarët e degëve mbështetën qëndrimin e kryesisë së LDK-së, se institucionet nuk kanë legjitimitet dhe vendi është në krizë institucionale. Të gjitha degët e LDK-së e konfirmuan qëndrimin se procesi i dialogut nuk mund të udhëhiqet nga institucione jo legjitime dhe përtej kompetencave kushtetuese”, thuhet në njoftim.
“LDK pra është e gatshme të udhëheqë këtë proces të rëndësishëm pas legjitimimit qytetarë në zgjedhjet e reja”.
“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë që ka projektuar dhe ka themeluar shtetin e Kosovës, secili proces i pakushtëzuar ndaj rendit tonë kushtetues përbën naivitet politik të rrezikshëm dhe është skajshmërisht i dëmshëm për pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”.
“LDK do të punojë në terren për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme të cilat do të nxjerrin një qeveri legjitime”.