Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se arsyeja kryesore e dështimit të takimi të sotëm në Bruksel ka të bëjë me zhvillimet politike brenda Kuvendit të Kosovës gjatë kësaj jave.

“Presioni i opozitës për miratimin e Rezolutës, përmes së cilës do të ndalej procesi i pazareve me kufijtë e Republikës së Kosovës, ka dërguar sinjal në Bruksel se z. Thaçi nuk mund të bisedojë për këtë temë”, thuhet në njoftimin për media të LDK-së.

LDK-ja thotë se “do të vazhdojë fuqishëm ta kundërshtojë këtë formë të dialogut, ku Presidenti pa mandat nga Kuvendi i Kosovës t’i prijë këtij procesi, si dhe të ndalojë secilin institucion që hyn në aventura ku mund të cenohet territori, integriteti dhe sovraniteti i vendit”.

“LDK edhe njëherë u bënë thirrje të gjitha partive politike parlamentare që të vijnë në seancën e jashtëzakonshme të ftuar nga opozita dhe ta miratojmë Rezolutën që lidhet me mbrojtjen e sovranitetit të vendit”, thuhet në njoftim.

Partia e Isa Mustafës “beson që dialogu është forma e vetme e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me të gjitha vendet e rajonit, por këtij procesi duhet t’i prijnë institucione legjitime dhe me mandat të qartë kushtetues”.

Kjo parti thotë se vetëm zgjedhjet e reja mund të prodhojnë institucione të tilla.