Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për përfshirjen e tij në zgjedhjet në Shqipëri.
Mjekiqi përmes një shkrimi në Facebook, ka shtuar se është absurde që kryeministri Kurti të merret me çështjet e brendshme në Shqipëri, kur Kosova është në krizë ekonomike, sociale e pandemike.
“Në kohë krize ekonomike, sociale e të pandemisë në vend se të dalë me një strategji për tejkalimin e kësaj situate, kryeministri Kurti merret me çështjet e brendshme të Shqipërisë duke favorizuar kandidatë për deputetë. Absurditet e veprim i paprecedent”, ka shkruar Mjekiqi.
Kurti gjatë ditëve të fundit ka publikuar foto të tre kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosjes për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, veprim ky që ka nxitur reagime të shumta nga opozita në Kosovë.