Kryesia e Degës së LDK-së në Podujevë, në takim me përfaqësuesit e të gjitha strukturave të saj, u ka dhënë mbështetje të plotë të gjithë deputetëve të LDK-së, me theks të veçantë deputetëve të degës së Podujevës për zbatimin e vendimeve dhe marrëveshjeve të nënshkruara dhe miratuara nga organet e LDK-së, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Podujevë, përcjell Llapi.info.
Në takimin e Kryesisë së Degës, të cilin e kryesoi kryetari Agim Veliu, ku morën pjesë kryetarët e nëndegëve, kryesia e Forumit të Gruas dhe Forumit Rinor, u diskutua për situatën e përgjithshme politike në vend, me theks të veçantë për hapat të cilët duhet të ndërmerren nga LDK, si udhëheqëse e Qeverisë së Republikës së Kosovës në favor të ruajtjes së shtetësisë së Kosovës dhe marëdhënieve të shkëlqyeshme me partnerët ndërkombëtarë.
Kryesia e degës së LDK-së në Podujevë ftoi udhëheqësit e të gjitha strukturave të saj për komunikim më intensiv me elektoratin, me qëllim që ata të informohen për rreziqet që i kanosen vendit në rast të përfshirjes së qytetarëve me pjesëmarrje në aktivitetet e partive opozitare, që kauzën e vetme kanë përmbysjen e rendit demokratik dhe marrjen e pushtetit përmes dhunës.
LDK në Podujevë vlerëson se rruga institucionale është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve, duke respektuar ligjet në fuqi dhe Kushtetutën.
Përfaqësuesit e të gjitha strukturave të degës vlerësuan pozitivisht punën e kryeministrit Mustafa dhe të Qeverisë së Republikës dhe në mënyrë unanime i dhan mbështetje të plotë të gjithë deputetëve të LDK-së, me theks të veçantë deputetëve të degës së Podujevës për zbatimin e vendimeve, të cilat janë marrë nga instancat më të larta partiake.
Në takim u diskutua edhe për procesin e përgatitjes së Konventës së Punës së LDK-së./Llapi.info