Shefi i këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Fitim Haziri, sot ka propozuar në Kuvendin Komunal të Podujevës, që t’i ndërpritet vendimi KEDS-it për vendosjen e njehsorëve të rrymës nëpër shtylla dhe hapësira tjera publike, në tërë territorin e Komunës së Podujevës, njofton Llapi.info
Haziri, duke kërkuar që të përkrahet nga të gjithë, ka thënë se arsyeja e kërkesës së tillë ka ardhur si rezultat, pasi që sipas tij, KEDS-i ka shkelur parimet e barazisë.
Megjithatë, edhe pse është përkrahur nga të gjithë këshilltarët opozitarë, ky vendim për ndalimin e vendosjes së orëve të rrymës në shtylla elektrike nuk është miratuar në Kuvendin Komunal. Krejt kjo, pasi që nuk është votuar nga LDK.
“Kompania KEDS duhet t’i furnizojë qytetarët me energji elektrike, duke i respektuar parimet e barazisë dhe transparencës. Në Komunën e Podujevës të dy këto parime janë duke u shkelur. Kemi lokacione ku kompania KEDS ka vendosur njehsorë poshtë shtyllave elektrike, ndërsa kemi lokacione tjera që njehsorët janë vendosur në maje të shtyllave elektrike. Këtu është shkelur parimi i barazisë për qytetarët, ndërsa vendosja e njehsorëve ne maje te shtyllave elektrike është jo transparente dhe e jashtëligjshme”, ka thënë Haziri.
Sipas tij, e gjithë kjo pasi që KEDS-i ka shkelur të drejtat elementare të njeriut, që është siguria dhe transparenca në qasje të gjendjes së shpenzimeve elektrike në njehsorët elektrikë.
“Arsyeja e këtij propozimi është se kompania KEDS kohët e fundit ka vendosur njësorë elektrikë në disa vendbanime të komunës së Podujevës siç është fshati Llapashticë, Katunishtë,Gllamnik, Konushevc, Dobratin, Lladovc, Shajkovc, Peran, Obrançë dhe Letanc, ku qytetarëve të këtyre fshatrave po iu shkelet e drejta elementare e njeriut që është barazia dhe transparenca”, është shprehur ai.
“Kompania KEDS obligohet që t’i zhvendosë të gjithë njehsorët elektrikë që i ka vendosur në maje të shtyllave elektrike në të gjithë territorin e Komunës së Podujevës, që qytetarët të kenë qasje për ta parë gjendjet e shpenzimeve elektrike në një afat kohor prej 90 ditëve”, ka theksuar Haiziri.
Këtë propozim-vendim për ndalimin e vendosjes së njehsorëve elektrike në shtylla, e kanë përkrahur edhe këshilltarët e PDK-së. Shefi i këtij subjekti, Rafet Llapashtica, e ka cilësuar diskriminuese vendosjen e orëve të rrymës diku sipër shtyllës, e diku poshtë saj.
Mirëpo, ndalimin e vendosjes së të tyre e kanë kundërshtuar partia në pushtet, LDK.
“Do ta kishim përkrahur nëse do t’i paraprijë një ligj, që të merret një vendim i tillë. Nuk mund ta votojmë pa e diskutuar se e konsiderojmë të jashtëligjshme”, ka thënë shefi i GK të LDK-së, Avni Fetahu.
Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Podujevë, Hamdi Jaha, ka theksuar se një vendim i tillë nuk duhet të merret pasi që sipas tij, i bëhet dëm vetit.
“S’jam për me marrë vendim të tillë, kërkojë që të formohet një grup nga këshilltarët dhe të bisedohet me zyrtarët e ZRRE-së dhe KEDS-it. Kështu i bëjmë dëm vetëm vetit. Leja për vendosjen e orëve ka qenë vetëm për poshtë shtyllave”, ka thënë ai.
Pas hedhjes në votim, kjo pikë e rendit të ditës e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka kaluar me shumicë votash./Llapi.info