Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të garojë e vetme në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës, pasi që deri më tani ka nënshkruar koalicion me tri parti në këtë komunë, shkruan Llapi.info.
Ditë më parë, kryetari i LDK-së në Podujevë, Agim Veliu – tashmë ish-kryetari i cili e çoi Podujevën në zgjedhje të jashtëzakonshme nënshkroi koalicion me Ballin Kombëtar në Podujevë dhe Partinë e Drejtësisë.
Por, Veliu nuk u ndal me kaq, pasi që “grepin” e gjuajti edhe tek partia e Ramush Haradinajt, AAK-në. Kështu ka bërë të ditur vetë ai, duke shtuar kjo parti me anëtarësinë e saj do të mbështesë kandidatin e LDK-së.
“Me kryetaren e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – Dega në Podujevë, zonjën Mrika Thaqi, sot nënshkruam marrëveshje bashkëpunimi. Sipas marrëveshjes, AAK me të gjitha strukturat dhe anëtarësinë e saj do ta mbështesë kandidatin e LDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudarin”, ka thënë Veliu në një postim në Facebook.
Këtë e ka bërë ditur edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Vizitova sot Degën e AAK-së në Podujevë, ku diskutuam për ciklin e brendshëm zgjedhor nëpër të cilin po kalon Aleanca, si dhe për situatën e përgjithshme politike në vend. Jemi të vendosur që të realizojmë reformat e nevojshme brendapartiake, ndërkohë që po luajmë rol konstruktiv në politikbërjen nacionale që shteti ynë të mos rrëshqasë në situata të dëmshme për qytetarët! Në këtë takim me strukturat e AAK-së në Podujevë u mor vendim që Aleanca ta përkrahë kandidatin e LDK-së për kryetar, profesor Nexhmi Rudari”, ka thënë sot Haradinaj.
Si kurrë më parë, LDK-ja duket se është në “panik” në këto zgjedhje duke bërë koalicion me tri parti. Pikërisht partitë që nuk garuan në këtë zgjedhje i janë bashkuar LDK-së.
Ende s’dihet nëse edhe ndonjë parti do t’i bashkohet partisë së Veliut në këtë Komunë, teksa zgjedhjet për kryetar mbahen këtë të diele.
Në garë për të parin e Podujevës janë tre kandidatë, Shpejtim Bulliqi i VV-së, Nexhmi Rudari i LDK-së dhe Naim Fetahu i PDK-së.
Zgjedhjet mbahen me 15 mars pasi ish-kryetari Agim Veliu, dha dorëheqje nga posti për t’u emëruar ministër i Punëve të Brendshme, ndërkohë që këto zgjedhje do t’i kushtojnë shtetit rreth 500 mijë euro./Llapi.info