Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media, thotë se derisa çështja e dialogut me Serbinë po mbizotëron debatin në Kosovë, koalicioni qeveritar po vazhdon kapjen e institucioneve.

“Para dy dite, Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal diskutoi për zgjedhjen e Kryesuesit të Bordit të ZRRE-së. Ky është një institucion tepër i rëndësishëm, duke marrë parasysh zhvillimet që pritet të ndodhin në sektorin e energjisë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Qeveria e Kosovës, thuhet tutje, jashtëligjshëm dhe duke shkelë Memorandumin e Bashkëpunimit me Ambasadën Britanike, ia ka dërguar në Kuvendin e Kosovës emrat e dy personave që janë vlerësuar me pikë minimale krahasuar me dy kandidatët e tjerë të vlerësuar nga komisioni vlerësues.

“I gjithë ky proces është vëzhguar nga kompania e angazhuar nga Ambasadës Britanike. Komisioni me insistim të opozitës ka kërkuar sqarime nga Qeveria. Dje gjithashtu u raportua për kandidaturën e z.Blerand Stavileci dhe një familjari të z.Hashim Thaçi për Kryeshef Ekzekutiv të KEK-ut”, thuhet në reagim.

LDK-ja e konsideron këtë të papranueshme. “Kosova ka mjaft ekspertë të fushës së energjisë dhe se vazhdimi i kapjes së këtij sektori do të ketë pasoja për të gjithë qytetarët e vendit”, thuhet më tej.

Në reagim, thuhet se PDK dhe AAK, si partnerë qeverisës, e kanë obligim të merren edhe me grevën e punëtorëve të KEDS-it, sepse të parët kanë marrë përgjegjësi për të udhëhequr ndërkaq të dytë pos tjerash kanë përgjegjës për privatizimin e distribucionit.