Lidhja Demokratike e Kosovës – Dega në Podujevë, ka kritikuar qeverisjen lokale për mënyrën e trajtimit që po ua bën fermerëve llapjanë, njofton Llapi.info.

Në reagimin e LDK-së përmenden dëmet që u shkaktuan në disa produkte bujqësore në pjesë të ndryshme të Podujevës, teksa thonë se në momentin kur fermerët llapjanë kishin nevojë për ndihmë kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi gjendej në Angli.

Madje, aty kritikohet edhe siç thuhet mosplanifikimi buxhetor nga komuna për kompensim të dëmeve në bujqësi nga fatkeqësitë natyrore.

Reagimi i plotë nga LDK;

Pushteti lokal po i lë fermerët llapjanë në mëshirën e fatit

Qeverisja lokale në Podujevë e që prej ardhjes në pushtet të LVV-së ka larguar nga prioritetet sektorin e bujqësisë edhe pse treva e Llapit karakterizohet me shume fermerë të vyeshëm e punëtorë.

Sektori i cili është determinues i zhvillimit ekonomik lokal, fatkeqësisht po merr trajtim jo meritor edhe nga pushteti lokal edhe nga ai nacional.

U fillua me zvoglimin e buxhetit për të vazhduar me mosplanifikim të buxhetit për kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore edhe pse ky sektor me dëme të tilla po përballet vazhdimisht viteve të fundit.

Si pasojë e stuhisë dhe reshjeve të fundit pësuan shumë fermerë llapjanë, ndërsa në kohen kur u duhej ndihma e pushtetit, kryetari po qëndronte në ekskursion në Angli.

E ata pjestarë të ekzekutivit që rastisën të jenë në komunë në këto ditë të vështira për fermerët llapjanë, u mjaftuan tek një ditë pas të dalin në vizita për regjistrim të dëmeve për të cilat thanë se në mungesë të buxhetit do t’i percillen në Ministrinë e Bujqesisë, duke synuar kompensimin.

E duke ditur dinamikën me të cilën po punon kjo ministri, zor se mund të ketë shpresë për fermerët llapjanë!