Sot e ftuar nga Partia Socialdemokrate është mbajtur tryeza e radhës e partive politike.
Pas mbajtjes së kësaj tryezë, LDK si partia më e madhe opozitare kërkon që vendi duhet të dalë nga kriza duke shkuar në zgjedhje të parakohshme, njofton Klan Kosova.
“Humbja e shumicës nga koalicionit qeverisës që ndodhi para tre muajsh e ka futur vendin në krizë. Ky vlerësim i para tre muajve është edhe më aktual tani, pasi kriza është thelluar. Qeveria nuk mund të adresojë asnjë çështje madhore, përveç vendimeve rutinore të cilat mund t’i marr edhe një qeveri teknike në detyrë. Kuvendi është jo funksional”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
“Tryeza e partive politike është iniciuar nga LDK-ja me një temë të vetme që është si të dilet nga kjo krizë institucionale. Në një situatë të tillë ne nuk mund të bisedojmë për tema të tjera. Temat e rëndësisë nacionale nuk mund të adresohen nga një koalicion i pakicës”.
“Prandaj, për të dalë nga kjo situatë, zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme”.
“Është në interesin e qytetarëve që partitë politike të arrijnë koncensus lidhur me: (I) Parimet që duhet ndjekur në adresimin e këtyre temave të rëndësisë nacionale, pavarësisht kush qeveris sot e kush nesër, si dhe (II) Caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme dhe përgatitjet e nevojshme për të nxjerrë një qeveri stabile të një shumice”.
Në frymën e kësaj, LDK-ja thotë se është e gatshme të bisedojë dhe të arrijë koncenzus.
“Ndryshe këto tryeza nuk kanë kuptim. Ne do të përdorim rrugët kushtetuese për të mos lejuar dëmtimin e vendin nga ky koalicion qeverisës i pakicës”.