Shefi i deritanishëm i këshilltarëve komunalë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avni Fetahu ka dhënë dorëheqje nga LDK-ja, njofton Llapi.info.
Këshilltari nga ky subjekt politik tashmë i është bashkuar Lëvzijes Vetëvendosje. Këtë e bëri të ditur gjatë ditës së sotme VV-ja përmes një komunikate.
“Sot, Lëvizjes VETËVENDOSJE! i është bashkuar, Avni Fetahu, asamblist në Kuvendin Komunal të Podujevës dhe Kryesues i Këshilltarëve Komunal të LDK-së në këtë komunë. Avniu është magjistër në drejtimin Menaxhment dhe Informatikë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Përvoja, dija e tij dhe profesionalizmi i Avni Fetahut do t’i shërbejë shumë Lëvizjes sonë, si në nivelin lokal po ashtu edhe në atë qendror. Avni Fetahu ka përvojë të gjatë menaxheriale duke qenë drejtor i Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik si dhe drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Podujevës. Ka marrë pjesë në shumë vizita studimore dhe në konferenca ndërkombëtare. Avniu është mësimdhënës në Shkollën Ekonomike “Isa Boletini”. Është i martuar dhe prind i 5 fëmijëve”, thuhet në komunikatë.
Fetahu, në zgjedhjet e fundit komunale të vitit 2017 ka qenë kandidati më i votuar nga LDK-ja. Fetahu arriti t’i mbledhë plot 1306 vota, kështu duke u bërë kandidati më i votuar./Llapi.info