Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka mohuar të ketë pas përleshje mes delegatëve të kësaj partie në Podujevë.
Ani pse tashmë kanë dalur pamjet, ku shihet një tensionim i situatës në mes delegatëve në shkollën fillore “Ibrahim Rugova” në Podujevë, ai tha se aty nuk ka pasur asnjë përplasje.
Mustafa, në një bisedë me Gazeta Blic, ka thënë se edhe vetë ai e ka parë videon, por thotë se ajo nuk pasqyron asgjë.
Thotë se Kuvendi në këtë shkollë ka vazhduar normalisht.
“Nuk ka pasur përplasje e as përleshje. Edhe unë e pashë videon dhe aty nuk shihet asnjë nga ato që u raportua. Aty janë njerëzit që flasin nëpër grupe-grupe, teksa pritej që të fillojë kuvendi. Asgjë nuk ka ndodh. Kuvendi në këtë shkollë po vazhdon në mënyrë normale. Votimi ka shkuar në mënyrë të fshehtë, dmth me vota të fshehtë dhe tashmë janë duke u mbledhur ato”, ka thënë Besian Mustafa për Gazeta Blic.