Shtabi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot një konferencë për media lidhur me vërejtjet e ushtrueses së detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, që i ka bërë ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mos-certifikimin e listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kandidatja e LDK-së për deputete, njëherësh zëdhënësja e shtabit zgjedhor, Ardita Dushi përmes një konference për medie të dielen tha se gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin më.
“Dje është kërcënuar KQZ-ja. Ky është institucion i pavarur që nuk guxon të kërcënohet, është kërcënuar nga ata që duhet të sigurojnë funksionimin e pavarur të tij. Është shkelje kushtetuese. Ee para është ndërhyrje në punën e KQZ-së dhe e dyta, tentim për favorizim të një grupi politik”, tha ajo në një konferencë për media.
Dushi tha se Kosova ka krijuar traditë të respektimit të vendimeve të institucioneve të pavarura dhe të Gjykatës Kushtetuese. “Nuk guxojmë të lejojmë që tash në vitin 2021 të kemi precedentë të tillë”, ka thënë Dushi, përcjell Telegrafi.
Ajo tha se Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon nga të gjitha institucionet e pavarura dhe nga KQZ-së, që të mos ndikohen nga kërcënimet, pavarësisht se nga kush vijnë ato kërcënime.
“I garantojmë qytetarët e Kosovës se këto kërcënime dhe fushata e linçimeve publike, do të marrin fund më 14 shkurti, kur sovrani me votën e lirë do të refuzojë praktikat jodemokratike të kërcënimit dhe shantazhimit. Lidhja Demokratike e Kosovës i garanton qytetarët e Kosovës se vullneti i tyre i lirë nuk do të mund të ndryshohet nga kërcënimet dhe linçimet”, tha ajo.
Më tej Dushi tha se LDK nuk lejon që të nëpërkëmbën institucionet shtetërore.
“Shteti duhet respektuar në plotninë e tij. Shteti është shtet dhe duhet të ruhet, sepse është i shenjtë. Këtë iu kemi borxh gjeneratave që kanë sakrifikuar për shtet. Këtë iu kemi borxh gjeneratave të ardhshme, të cilët duhet të trashëgojnë një shtet demokratik”, tha zëdhënësja e shtabit Zgjedhor të LDK-së.