Xhevdet Leci, me Audi S2 është fitues i garës Drag Race për këtë vit.
Shtegun me gjatësi prej 402 metrave ai e kaloi për kohën prej 10.001 sekondave, që i mjaftoi për fitore, duke shfrytëzuar edhe gabimin e bërë nga Skender Potera, i cili në finale u diskualifikua për shkak se e preku njërin nga censorët e fundit.
Leci, i cili jeton në Zvicër, është shprehur i kënaqur për fitoren, por jo edhe me kohën që e pati.
“Normalisht që jam i kënaqur me faktin që e fitova garën, por kam pritur të kem kohë më të mirë. Sivjet kam marrë pjesë në Osijek e Grobnik dhe në të dyja rastet jam renditur i pari. Vetura është në gjendje të shkëlqyeshme, por pista ka qenë e tillë që nuk ka lejuar kohë më të mirë”, është shprehur Leci pas fitores, duke shtuar se të shtunën do të marrë pjesë në Hockenheim të Gjermanisë, në një garë me konkurrencë jashtëzakonisht të fortë.
Një gabim në vozitjen finale i ka kushtuar Skender Poterës me humbjen e pozitës së parë në klasën e 9-të, por gjithsesi që ai ka qenë njëri nga garuesit më atraktivë, e njëkohësisht edhe fitues i çmimit për kohën më të shpejtë.
“Jemi përgatitur mirë për garën sepse kemi pasur njohuri për pjesëmarrësit tjerë. Jam shumë i kënaqur me kohën, të cilën nuk e ka arritur askush më parë. Jam i bindur se edhe në vitin e ardhshëm do të jem më i shpejti. Një gabim në finale na kushtoi me diskualifikim, por ajo ndodhi nga fuqia e madhe e veturës”, ka thënë Potera, i cili u paraqit me Audi S2.
Të shtunën ai pati kohë fantastike prej 9.109 sekonda, me shpejtësi prej 262.77 km/h.
Për dy ditë me radhë, në temperatura trobikale, interesimi i dashamirëve të auto sportit ka qenë mjaft i madh. Me gjithë masën e madhe, gjithçka ka kaluar në mënyrën më të mirë. Kryetari FASK-ut, Ismet Rexhepi, është shprehur i kënaqur me ecurinë e garës.
“Mendoj se në aspektin sportiv, Drag Race 2017 u zhvillua 100 për qind suksesshëm. Edhe në aspektin organizativ FASK-u dhe Policia e Kosovës treguan përkushtim të madh dhe gjithçka shkoi për mrekulli. Për këtë rrjedhë të tillë një falënderim i veçantë shkon edhe për shikuesit e shumtë, të cilët edhe në këto temperatura të larta patën durim t’i përcjellin pjesëmarrësit e garës”, ka thënë Rexhepi, duke shtuar se në të ardhmen Drag Race do të pasurohet edhe me aktivitete tjera.
Përveç garës, aktivitete tjera pati edhe sivjet, pasi pati drift dhe akrobacione me motor. Kroati Matea Podrashki për disa minuta i argëtoi të pranishmit me motor, duke treguar veprime që nuk janë parë më herët në vendin tonë.
Një kupë e veçantë iu dorëzua edhe Përparim Ebibit, si garuesi më fair-play për këtë vit.
Fituesit në klasa:
Klasa 16: Leutrim Sylejmani (Golf VI) 15.548 sekonda
Klasa 15: Jaha Vllahiu (Audi A3 S3) 14.456
Klasa 14: Emin Dobra (Opel Kadet) 13.017
Klasa 13: Jahmin Krediç (BMW E30) 13.012
Klasa 12: Llukman Iballi (Audi S8) 12.461
Klasa 11: Ardi Potera (Audi RS6) 10.930
Klasa 10: Arton Ajvazi (Nissan GTR) 10.080
Klasa 9: Xhevdet Leci (Audi S2) 10.001