Grupi për Ballkan ka bërë të ditur sot se Bernard Nikaj, Leon Malazogu, Robert Muharremi, Muhamet Mustafa dhe Veton Surroi, do të jenë ekspertët e angazhuar në procesin e dialogut Kosovë – Serbi. Këtij ekipi pritet t’i bashkohet edhe Blerim Shala, ish-këshilltari i Presidentit Hashim Thaçi.

Lidhur me këtë çështje, Gazeta Online “Reporteri.net”, ka kontaktuar me nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh deputet në Kuvendin tonë, Pal Lekaj, se çfarë mendon për këtë ekip që do të angazhohet në dialogun me Serbinë.

Në këtë prononcim, Lekaj tha se kjo listë e zgjedhur e kreut të ekzekutivit, Albin Kurti, është në diskrecion të tij.

Mes tjerash, deputeti Lekaj tha se AAK do të jetë në monitorim të vazhdueshëm të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Po unë e pashë listën e ekipit negociator që ka zgjedhur kryeministri Albin Kurti. Kjo detyrë është në diskrecionin e tij që të zgjedhë ekipin që ai mendon që është më i miri në këtë detyrë. AAK do jetë në monitorim të vazhdueshëm të procesit të dialogut”, tha Lekaj.

Tutje, ai shtoi se partia politike ku bën pjesë do të qëndrojë si gardian në respektim të Kushtetutës për çdo marrëveshje të mundur.

“AAK do qëndrojë si gardianë në respektim të Kushtetutës gjatë çdo marrëveshje të mundur”, tha ndër të tjera Lekaj për “Reporteri.net”.

Ndërkaq, në një përgjigje për Reporteri, Qeveria ka sqaruar se ky grup i ekspertëve është themeluar në kuadër të memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës, Ambasadës Norvegjeze e Grupit për Ballkan.

“Në lidhje me raportimet në fjalë, më lejoni të sqaroj se nuk bëhet fjalë për ekip negociator. Bëhet fjalë për një ekip ekspertësh të angazhuar nga Grupi për Ballkan (BPRG) në kuadër të një memorandumi të mirëkuptimit në mes Qeverisë së Kosovës, Ambasadës Norvegjeze dhe Grupit për Ballkan që është nënshkruar javën e kaluar. Në këtë ekip ekspertësh mes tjerëve do angazhohen edhe z. Surroi dhe z. Shala. Zëvendëskryeministri Bislimi sipas portfolios së tij është takuar me ekipin ditëve të fundit”, thuhet në përgjigje.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se dialogun do ta udhëheqë kryeministri Kurti duke u këshilluar me Presidenten Vjosa Osmani, por përgatitjet rreth tij do t’i bëjë zëvendësi i parë i kreut të ekzekutivit.

Gjithashtu, është bërë e ditur se Qeveria Kurti e ka në plan të takohet edhe me opozitën.