Punimet në zgjerimin e rrugës Prishtinë – Podujevë po vazhdojnë të ballafaqohen me ngecje të shumta, ani pse të njëjtat po bëhen katër vite prej se kanë filluar, njofton Llapi.info
Për këtë çështje është biseduar sot edhe në takimin e Ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, me Koordinatorin nacional për reforma shtetërore Besnik Tahiri dhe këshilltarit të AAK-së në Podujevë, Patriot Rudari.
Takimin e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook vetë Lekaj, i cili ka thënë se MI është duke punuar në zgjidhjen e problemeve, sipas tij, të trashëguara nga qeverisja e kaluar.
“Për projektet infrastrukturore të Ministrisë së Infrastrkuturës dhe Transportit, në komunën e Podujevës, diskutuam me koordinatorin nacional për reformë shtetërore, Besnik Tahiri dhe asambleistin nga rradhët e AAK-së në kuvendin komunal të kësaj komune, Patriot Rudari. Interesim të veçantë shprehën për rrugën Prishtinë – Podujevë dhe vonesat në përfundimin e saj, për të cilën i informova që jemi drejt zgjidhjes së problemeve të trashëguara nga qeverisja e kaluar, për t’i hapur rrugë implementimit të projektit sipas planit dinamik”, ka shkruar Lekaj./Llapi.info