Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj parashikon rritje të AAK-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kurdo që mbahen ato.

Lekaj në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net ka thënë se me rrethanat e krijuara së fundmi në Kosovë dhe me siç ka thënë ai keqqeverisjen e Qeverisë Kurti, AAK mund të ketë rritje të votave nga 15 e deri në 18% .

“Asnjë situatë dhe asnjë rrethanë politike nuk e largon AAK-në nga baza e saj 7-10% të votuesve nga e gjithë Kosova, e për të cilët votues besnik jemi falënderues për besimin e vazhdueshëm. Për më shumë, mendojë që rrethanat e krijuara në Kosovë, dalja në pah e qeverisë Kurti mbi mosdijen e qeverisjes dhe mos përmbushjes së asnjë premtimi që e kanë thënë, si dhe proceset e rëndësishme që e presin Kosovën, do të kërkohet nevoja që lideri Ramush Haradinaj të kthehet në udhëheqje të shtetit, e kjo realisht do të rrisë përqindjen e votave që mund të shkojë në 15-18%. Shkurt e shqip ata qe ditën të bëjnë luftën, dijnë ta bëjnë edhe paqen por edhe zhvillimin e shtetit”, ka thënë Lekaj për Reporteri.net.

Në intervistën për Reporteri.net, deputeti i AAK-së e ka vlerësuar si të dobët punën një-vjeçare të Qeverisë Kurti, duke e cilësuar si dështimin më të madh të saj mospërparimin ekonomik të vendit.