Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, të dyshuarit për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje, L.H.

Një masë e tillë, është caktuar pas seancës dëgjimore, që është mbajtur të enjten, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, e ka përpiluar prokurori Besart Mustafa, ndërsa atë në seancë e ka përfaqësuar prokurori Ali Ajdini.

“Pas shqyrtimit dhe analizimit të kallëzimit penal dhe shkresave të lëndës, si dhe pas nxjerrjes së aktvendimit për fillim të hetimeve, konsideroj se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit të parapara me nenin 187 par.1 nënpar.1.1 dhe 1.2 pika 1.2.3 të KPPRK-së”, ka deklaruar prokurori Ajdini.

Sipas prokurorit Ajdini, rezulton se i dyshuari ka shtënë me armë kallashnikovë “AK-47”, në rrugën e asfaltuar.

Duke u bazuar në këto rrethana, ai ka propozuar që kjo masë të caktohet, me arsyetimin se me asnjë masë tjetër alternative nuk mund të arrihet siguria e tij në procedurë gjyqësore.

Ndërsa, mbrojtësi i të dyshuarit L.H, i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Rexhep Fusha, e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë, duke shtuar se të mbrojturit të tij i dihet identiteti dhe vendbanimi, dhe se sipas tij, ai nuk ka qenë asnjëherë i gjykuar për vepra penale.

Ai ka kërkuar që të refuzohet kërkesa e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, si e pabazuar.

Sipas tij, i dyshuari ka premtuar se do t’i përgjigjet çdo herë ftesave të gjykatës, prokurorisë dhe organeve të ndjekjes.

“I propozojmë gjykatës që të pandehurit t’i caktojë një masë tjetër alternative sipas ligjit”, ka përfunduar avokati Fusha.

Me konstatimet e mbrojtësit të tij, është pajtuar edhe i dyshuari L.H, duke e kundërshtuar kërkesën e prokurorit për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Më pas, gjykatësi i procedurës paraprake Gazmend Bahtiri, ka caktuar për të dyshuarin masën e paraburgimit, e cila do të llogaritet nga 4 shtatori 2019 dhe do të zgjasë deri më 4 tetor të këtij viti.

Ndryshe, sipas kërkesës së prokurorisë mbi caktimin e masës së paraburgimit, të 4 shtatorit 2019, L.H dyshohet se më 4 shtator 2019, rreth orës 01:25, në rrugën “28 nëntori”, në Podujevë, pas një mosmarrëveshjeje që kishte pasur me të dëmtuarin L.A, përmes rrjetit social Facebook, dhe bashkë me A.M, K.G, E.Y, Ç.A, D.H, pasi ata kishin shkuar pranë shtëpisë së tij për tu sqaruar, ai me dashje me armën e tij “kallashnikov AK-47”, ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve dhe ka shtënë në rrugën e asfaltuar, e ku nga predha është lënduar rëndë L.A.

Ndërsa, në kërkesë thuhet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë, i dyshuari ka mbajtur në pronësi armën “kallashnikov AK-47”, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, të cilën e kanë sekuestruar policia.

Me këtë ai akuzohet për dy vepra penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 356, par.4, lidhur me par.1  dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par.1 të KPRK-së.