Nga: Evalda Paci
Studimi i letërsisë së vjetër shqipe përbën një objekt diskutimi që kërkon dhe njëfarë dallimi në drejtime dhe pikëpamje, ndër të cilat do të duhej të përmendnim së pari përshtatjen e argumenteve në lidhje me të, në nivele shkollore, kryesisht parauniversitare, të domosdoshme për të parapërgatitur të tjera qasje studimore që marrin një prirje konkrete në degët në të cilat kjo letërsi, në pikëpamje periudhe dhe veprash studiohet si pjesë e një programi të organizuar.
Një letërsi si ajo e vjetër shqipe përmban autorë, vepra dhe dokumente, të cilat dhe janë përfshirë gjatë në diskutime dhe trajtesa për arsye të domosdoshmërisë së saktësimit kronologjik, përkatësisë dialektore, teksteve në të cilat mund të ishin pjesë, vullnetit autorial në raste të veçanta etj.
Autorët e veprave të kësaj letërsie rezultojnë të jenë objekt i një evidentimi konkret në mjaft regjistra e dokumente të kohës në të cilën jetuan, me përjashtim të autorit të Mesharit, për të cilin vijohet të hipotetizohet sa i përket mbiemrit dhe origjinës përkatëse. Zbulimi i një lokaliteti në të cilin ai duhet të ketë kryer shërbesat e funksionet prej meshtari do të përbënte një rrugëzgjidhje më se të kënaqshme, në kushtet në të cilat tashmë dihen të dhëna më konkrete dhe mbi prelatë të tjerë të periudhave të afërta, të angazhuar gjithashtu në ndërmarrje të ngjashme botimi dhe përgatitjeje veprash të rëndësishme për kulturën dhe historinë e shtypit.
Njohja dhe disponimi i të dhënave mbi autorë dhe vepra jo përherë rezulton e plotë dhe në lidhje me të njëjtat çështje në vise të tjera të Evropës, fakt që kushtëzohet dhe nga rrethana të tjera, që kanë të bëjnë me mundësinë e evidentimit të saktë të indiceve që në kushte të caktuara mund të mos jenë ruajtur në plotësinë e duhur. Një kulturë e caktuar, që ka të bëjë me librin e shtypur dhe me paraqitjen e tij para lexuesit, lëvrohej në mënyrë të veçantë në shekujt në të cilët panë dritën e botimit dhe veprat e letërsisë së vjetër shqipe dhe një fakt i tillë gjindet i reflektuar në pasazhe të ndryshme të tyre, pikërisht me prirjen për të shprehur dhe njohjen ndaj modeleve tashmë ekzistuese në Evropë e në vise më të afërta në pikëpamje gjeografike.
Shekujt e reformave themelore në historinë e kishës dhe në mendimin filozofik njerëzor u reflektuan ndjeshëm në kulturën e leximit dhe të studimit të argumenteve themelore në këto fusha, aq më tepër në lidhje me teologjinë e krishterë dhe me njohjen e thelluar të saj në ambiente e qerthuj kulturorë.
Trajtimi i teksteve të kësaj letërsie në nivelet parauniversitare mbetet një domosdoshmëri për t’u konsideruar, qoftë dhe sa u përket pjesëve që përfaqësojnë modele tipike të ndërtimit të hyrjeve, paragrafeve që parashtrojnë punën e autorit me veprën dhe të tjera të ngjashme, që bartin karakteristikat e një periudhe në të cilat ndeshen tipare shkrimore dhe tekstore të veçanta, të krahasueshme me vepra të tjera të kohës, në areale të afërta gjeografike. Modele të përpilimit të një teksti përmbyllës, çështje të dallimit të elementeve që janë tipar i periudhës në fjalë, por shënojnë dhe karakteristika të një gjuhe të specializuar e të lidhur me veprën, mund të bëhen objekt i një analize më të thjeshtuar, por përherë me rëndësi për një edukim me vlera letrare e shkrimore të një kohe më të largët për brezat e sotëm.
Të kemi parasysh kujdesimin e veçantë që presupozon trajtimi i autorëve klasikë në gjimnaze e lice në vendet e Evropës, në veçanti në vise ku ruhet një lidhje e hershme me latinitetin dhe kulturën klasike në përgjithësi, duke qenë kjo e fundit themelore në programet më të hershme të shkollave më të para në kontinent.
Vetë çështja e transmetimit të teksteve të autorëve më të rëndësishëm të klasicitetit grek dhe latin përfshiu një traditë të mëvetësishme botimesh, riprodhimesh, studimesh dhe ritrajtimesh që u bënë objekt i disiplinave si paleografia, historia e shkrimit, filologjia e teksteve të vjetra dhe atyre mesjetare.
Risjellja e teksteve të tilla nga duar kopistësh, në faza të mëvona të lëvrimit të kulturës së shkrimit, përbën një kapitull të veçantë të dijes mbi një traditë të tillë, që mbijetoi në vazhdën e mjaft ndryshimeve që erdhën natyrshëm dhe në njëfarë mënyre lehtësuan përafrimin e individit dhe shoqërisë me librin si nocion dhe më tej, me brendinë e mjaft manualeve që përbëjnë për ne një gamë simbologjike mbi letërsinë klasike, disiplinat e shkencave të natyrës, kodet zakonore e korpuset që vijuan të rimerreshin nga gjenerata në gjeneratë, duke vijuar të evokonin tipare kulturore dhe të jetesës në shoqëritë e mëhershme, të cilat u transmetuan dhe falë kësaj teknologjie që u konkretizua herë me anë teknikësh të dorëshkrimit, herë me anë të mjeteve e metodave që bënë të mundur që karakteret e shkronjave të tiposeshin dhe shtypeshin në procese komplekse përherë e më të përpunuara.
Evropianiteti ruan lidhje të forta me të tilla programe, në të cilat historia e antikitetit, por dhe të tjera disiplina që e evokojnë atë, kanë gjetur që në fillim një hapësirë e frymëmarrje të natyrshme, gjë që reflektohet dhe sot e kësaj dite në komplekse monumentale dhe biblioteka e fonde të posaçme, në të cilat kultura transmetohet natyrshëm dhe lirisht.
Të kesh të njëjtën vëmendje për veprat më të hershme të dokumentimit shkrimor të gjuhës e të letërsisë sonë përbën një objektiv që nuk ndahet as nga metodologjia e zbatimit të këtij të fundit.
Njohja me tekstet e kësaj letërsie vjen së pari në kohë të tjera, në të tjera rrethana të kultivimit të përdorimit të librit dhe kontaktit me monumentet më të hershme shkrimore të shqipes e të letërsisë përkatëse, por dhe me të tjera pespektiva në lidhje me realizimin për botim të kësombllave të tyre, të gjitha me interes të veçantë studimor e shkencor, për më tepër, dëshmi e një kulture të veçantë që për fat të mirë u reflektua dhe në viset tona.
Një vëmendje e qartë ndaj këtyre burimeve të hershmërisë së traditës shkrimore në gjuhën tonë bie në sy në fillimet e shekullit të caktuar, ndërkohë që vetë tradita në fjalë kishte pasur një vijimësi të qartë konsolidimi nga vepra në vepër, nga shekulli në shekull.
Janë vetë formatet e teksteve e manualeve, në të cilat kjo letërsi përfshihet duke u trajtuar në një mënyrë të përveçme, që ofrojnë dhe modele metodologjike konceptimi dhe vështrimi kompleks që nuk humbet vlerën as në ditët e sotme, në kushtet e disponimit të botimeve më të plota të veprave që e përfaqësojnë historinë e shkrimit shqip dhe monumentet më të hershme të dëshmimit të saj.
Qasja ndaj këtyre teksteve erdhi në veçanti për nevoja vështrimi studimor, por dhe për një vetëdijësim të domosdoshëm për dekadat e para të shekullit të kaluar, pikërisht për vitet që i prinë apo përkuan me shpalljen e pavarësisë në vendin tonë.
Njoftime në të përkohshme e revista të kohës në lidhje me monumentet shkrimore të shqipes së vjetër dhe evidentimin e tyre në biblioteka e arkiva të kohës dokumentohen pikërisht në një periudhë të tillë, në të cilat dhe konsolidimi i shtetit shqiptar ndihej si domosdoshmëri e nevojë për ripërtëritjen e jetës e kulturës së kombit.
Vijnë dhe pjesët nga këto vepra, ashtu si dhe të dhënat që disponoheshin mbi ekzistencën e ekzemplarëve të veçantë të tyre në bashkëpërkim me klimën kulturore të kohës, në të cilën merr një rëndësi më vete dhe qasja ndaj një kulture të kujtesës kombëtare, që përfaqësohet pikërisht me botime të shekujve me rëndësi dhe për vetë zhvillimet në Evropë.
Një evidentim i saktë dhe përherë në vijë përditësimi do t’i vinte në ndihmë një panorame të tillë, mjaft me vlerë për t’u vënë në dukje bashkë me vetë rëndësinë që paraqiste vetë drejtimi i vëmendjes ndaj dëshmive më të hershme shkrimore në gjuhën tonë, objekt interesi dhe për studiuesit e huaj për nënsistemet përkatëse dhe për të tjera tipare konstitutive që bënin të mundur të zgjeroheshin qasjet dhe krahasimet me të tjera idioma dhe gjuhë të të njëjtit areal gjeokulturor.
Angazhimi i prelatëve të trevave arbëreshe pati një rol të rëndësishëm dhe në orientimin e një vëmendjeje konkrete ndaj tekstesh, copëzash, por dhe veprash që tërhiqnin interesin e studiuesve që ndërkohë ishin njohës po aq të mirë të një trashëgimie të lëvruar në shekuj të mëparshëm, nga autorë që dhe sot e kësaj dite përfaqësojnë letërsinë kishtare në këto vise, bashkë me një sërë tiparesh dhe elementesh që i qasen letrarësisë, por dhe një kulture të të shkruarit që përbën një veçanti që përndahet në profile të përveçme si Matranga, Variboba, Santori etj.
U deshën mjaft kontribute, por dhe mjaft sprova që kësaj letërsie t’i plotësohej një profil i meritueshëm, i pasur në karakteristika, arritje, prurje, autorë, përpjekje për të konkretizuar përmes saj një substrat që përmbante dhe elemente të një pasurie që ishte bartur herët nga një popull që kërkoi fatin e vet dhe përtej brigjeve të trojeve të veta.
Rimarrja e sprovave më të rëndësishme të dekadave të para të shekullit të kaluar, në të cilat gjurmohet qartë një prirje për të bërë të ditur sa më shumë vlera të kësaj letërsie dhe të veprave që e përfaqësonin atë, dëshmon mbi të gjitha që studiuesit e kohës kishin të qartë që kujtesa mbi një periudhë të tillë, që njohu zhvillime të ngjashme në viset tona dhe në ato arbëreshe, por jo plotësisht të njëjta në pikëpamje ecurie dhe të vetë truallit që i mbështeti të tilla përpilime, do të përbënte dhe më tej një premisë të rëndësishme për t’iu rikthyer asaj për një sërë arsyesh, mbi të gjitha studimore, por dhe për nevojën për të gjetur bashkëlidhje ndërmjet kontributeve të shekujve XVI e më tej dhe përpjekjeve për të ruajtur një identitet kombëtar që na dallon e bashkon dhe sot e kësaj dite.
Vështrimi kompleks mbi inicimin e traditave të tilla do të gjejë patjetër ndërlidhje me të tjera zhvillime që u reflektuan në Evropë dhe në Ballkan, ndërkohë që në proces të gjurmimit përmbajtësor të veprave të letërsisë së shkruar arbëreshe, shpesh dhe bartëse tiparesh që gjindeshin më parë dhe në kulturën orale të popullsive përkatëse do të mund të qëmtohet një trashëgimi e tërë, që vetë rrethanat e ruajtjes dhe të transmetimit e bëjnë objekt interesi për shumë disiplina të dijes.
Konsiderimi i kësaj trashëgimie në bashkëlidhje me trajtesat që realizohen prej vitesh, mbi shekujt që lidhen me dëshmitë më të hershme të disponueshme shkrimore në gjuhën tone, përbën një premisë të domosdoshme në rasë të kthimit të vëmendjes ndaj fazave më të para të letërsisë së shkruar shqipe.