Nga: Mark Simoni

Sa herë që më mbërrijnë në Facebook apo në email mesazhe që kanë krijim, sendiment dhe të shkruar bukur, unë i ndjejë sikur më kanë ardhur letra.

Kujtesa dhe ndërgjegjja e hershme historike si dhe vezullimi i turbullt i dëshirave romantike më çon në kohëra dhe realitete të tjera. Bash atëherë kur njerëzit i dërgonin letra njëri-tjetrit, para se të ishin shpikur telefoni, telegrafi e morsi. Imagjinoj edhe hapësirën mes atyre që i shkruanin letrat dhe njerëzve që u mbërrinin në dorë – hapësirë plot ngjarje e travaje nga më interesantet.

Oqeane të mëdhenj mbi të cilët llokoqiteshin shishe me letra brenda, të lëshuar në ujë nga lundërtar të dëshpëruar që s’dinin as se nga qenë nisur dhe as se ku do mbërrinin, dhe a do të kishte kjo botë ndonjë breg për ta. Qiejve u binin kryq e tërthorë pëllumba postar, herë të sfilitur nga qiejt e mëdhenj dhe herë të tjera të mallkuar nga ata që prisnin e prisnin mbërritjen e tyre.

Kalorës të çmendur, hipur mbi kuaj të fandaksur, bridhnin kontinentesh me mandata e fermane, ultimatume dhe postën e letrave të të dashuruarve. Karroca kryqëzatash mbanin mbi to, për të dërguar në vende sa më të fshehta arkivat e dijeve ezoterike. Nën qiellin e shekujve të mugët udhëtonin letrat, korrespondencat, novelat e letrave, ditarët.

Maria Popova thotë: “Çfarë kanë letrat që na flasin në mënyrë kaq të fuqishme dhe na intrigojnë në mënyrë kaq joshëse”.

Letrat krijuan një klimë letrare fantastike. Madje dhe romanet filluan të ndërtoheshin në formë letrash, shkruar nga dy a më shumë njerëz, dhe u quajtën romane epistolari. Një prej tyre është romani “Pamela ose virtyti i shpërblyer” e Samuel Richardsonit i vitit 1740. Sipas kritikës është pararendës i romanit modern psikologjik.

Kujtojmë dhe rastet e John dhe Abigal Adamisit (si Lisandri dhe Kostancia), në letrat e tyre të hershme, apo Thomas Jeffersoni që krijoi një dialog mjeshtëror midis kokës dhe zemrës, për të diskutuar natyrën e miqësisë në një letër të 1786 që i drejtohej Maria Kosway.

Emily Dickinson shkruante: “Një letër gjithmonë më është dukur si pavdeksi, sepse në të është vetëm mendja, e pa shoqëruar prej trupit të atij që e shkruan”.

Një nga volume më të mëdha të letërsisë epistolare, mbushur me dashuri të vrullshme, pasionante, të zjarrta, “me fjalë brilante dhe të kadifejta, me aroma jasemini”, janë letrat e dashurisë. Nga Egjipti i lashtë na vjen “Vejusha mbretërore” e shkruar nga Ankhesenamuri. Në libër ka me qindra letra që kjo i dërgonte mbretit të Hittitëve, armikut të saj dhe i lutej që kjo vetë të martohej me të birin e tij: “Do të magjepset kur duke dalë nga vaskat e nxehta do shoh trupin tim të mbështjellë nga avulli dhe manteli i tejdukshëm”.

Në Kinën perandorake është një letër që një vajzë i shkruan të dashurit të saj të fëmijërisë dhe djali klith nga gëzimi që e dashura e tij shkruan aq bukur, po aq me frymëzim sa poeti më i madh i asaj kohe Li Taj Po.

Në Romën e lashtë, letrat e dashurisë gjinden në thelbin e erotikës ovidiane. Në Mesjetë na kujtohet “Leidi P.” apo në shekullin XVIII “Spektatori” nga Richard Stelee.


Jacques Lacan e lidhte përherë letrën me dashurinë.

Ekziston një studim që flet mbi letrat e të mëdhenjve dhe korrespondencën e tyre, që nga Ernest Hemingway e deri tek Georgia O’Keeffe.

Po përmend disa nga më interesantët që kanë mrekulluar botën e leximit. “I dashur gjeni” i Ursula Nordstromit që ka në të lidhjet e saj nëpërmjet letrave me 27-vjeçarin Maurice Sendak. Një tjetër libër është “Ti i largëti im”, plot me letra të zgjedhura nga letërkëmbimi i Georgia O’Keeffe (artiste e famëshme) dhe Alfred Stieglitzit fotograf), letra që, sipas kritikës “të lënë pa gojë”.

Në këtë libër janë përzgjedhur vetëm 650 letra të shkruara prej tyre, prej një prej çifteve më të jashtëzakonshëm në historinë botërore.

Në romancën e tyre 30-vjeçare këto i shkruan njëri tjetrit më shumë se 5000 letra (në libër siç thamë u përfshinë 650 të tilla) dhe këto 5000 letra qenë rreth 25 mijë faqe të pasura me detaje të jetës, deri tek engjëjt e demonët. Një nga korpuset më të pasur me letra është ai i Hemingwayt, plot 16 volume, ndërsa John Steinbeck, tek libri i tij “Një jetë në letra”, ka përmbledhur 850 letra nga korrespondenca e tij.

Unë nuk e di se deri ku do të shkojë fantazia e shpikësve të teknikës së komunikimit. Por, për një gjë jam krejt i sigurt, që letrat do të mbesin përherë përmallimi i komunikimit të njerëzve. Letra do të jetë përherë fizike, e bërë nga druri dhe celuloza, do të jetë e ngrohtë dhe e vënë nëpër rafte apo nën jastëkun e natës si një magji mrekullore.

Dhe, mbi të gjitha, letrat janë përherë të rrethuara nga mistika e mbërritjes, nga malli i pritjes, nga rreziqet e rrugës, nga frikërat se mund të bien në duart e ndokujt që merr vesh sekretet dashurore, nga përmallimi, nga historitë që u ndodhin postierëve e kalorësve që i mbajnë si bekim.

Më paska marrë malli. Po ulem e shkruaj një letër.