Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se është anuluar tenderi 44 milionësh për mirëmbajtjen e rrugëve, i cili ishte hapur javëve të fundit nga ish-ministri Arban Abrashi. Përveç tenderit për mirëmbajtje të rrugëve është anuluar edhe ai për privatizimin e shërbimit të Patentë Shoferëve.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Aliu ka thënë se të dy këto vendime janë marrë duke pasur parasysh interesin publik dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Ai ka bërë me dije se shumë shpejtë do ta riaktivizojnë E-testimin për të rregulluar mbarëvajtjen e testimit për patent shoferë, për të shmangur keqpërdorimet.
“Të dyja këto vendime janë marrë duke pasur parasysh interesin publik dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Po ashtu, së shpejti do ta riaktivizojmë E-testimin për ta rregulluar mbarëvajtjen e testimit për patentë shoferë, duke shmangur kështu keqpërdorimin”, ka shkruar Aliu.