Ka vazhduar saga e licencimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK-së) nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), ku sot janë mbledhur mbi 20 klube të futbollit.

Ata kanë diskutuar sot (e mërkurë) në zyrat e FFK-së për procesin e licencimit, ku për këtë ka folur donatori i KF Trepçës, Avni Haxhiu.

“Po jemi mbledhë sot për të diskutuar rreth procesit të licencimit. Sipas sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, kjo federatë i ka kompletuar dokumentet për licencim që disa ditë, por nuk kanë pranuar ende përgjigje”, ka thënë ai për RTV Dukagjini.

Në anën tjetër, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se nëse FFK nuk licencohet deri më 31 mars, atëherë nuk do t’i vazhdojë garat.

“Në rast se nuk përfundon procesi i licencimit deri me datën 31 mars atëherë klubet janë dakorduar që të mos vazhdojnë më garat”, Tahir Batatina për Kanal10.

Mësohet se në këtë mbledhje nuk kanë qenë pjesëmarrëse të gjitha kubet.

Klubet shkaku i mos-licencimit janë privuar nga ligji për sponsorizim, duke mos arritur të marrim mjetet që kanë në marrëveshje me kompanitë e mëdha.

Ministria e Sportit ditën e djeshme ka njoftuar se licencimi i federatave bëhet nga ‘Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive’ dhe nuk bie në përgjegjësinë e ministrit, Hajrullah Çeku.

FFK në anën tjetër aktualisht kryetarin e saj Agim Ademin e ka në arrest shtëpiak, pasi akuzohet për dy vepra penale: ‘Keqpërdorim i besimit’ si dhe ‘Shmangie nga tatimi’, duke keqpërdorur buxhetin e Federatës së Futbollit të Kosovës.