Lidhja e Bletarëve të Kosovës (LBK) shumë shpejt do të jetë pjesë e Organizatës Botrore të Bletarisë “Apimondia”, e cila ka konfirmuar se e ka njohur të drejtën e anëtarësimit të LBK-së në këtë organizatë, njofton Llapi.info.

Lajmi është bërë i ditur në takimin që zhvilloi zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Vezir Januzi me përfaqësuesit e Lidhjes së Bletarëve, në të cilin bisedua për hapat e mëtejmë të bashkëpunimit mes MBPZHR-së dhe LBK-së dhe kordinimin e këtyre dy institucioneve rreth këtij anëtarësimi.

Zëvendësministri Januzi tha se anëtarësimi në këtë organizatë ka një rëndësi të madhe për zhvillimin e mëtejmë të bletarëve në vend dhe sipas tij kjo arritje është bërë falë bashkëpunimit të Lidhjes së Bletarëve me MBPZHR-në.

Në këtë takim u bisedua edhe për gjendjen aktuale të bletarisë në Republikën e Kosovës dhe mundësinë e mbështetjes së këtij sektori nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural./Llapi.info