Lituania vijon të kundërshtojë hapjen e kapitullit të 31-të të negociatave të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, një kapitull që ka të bëjë me politikat e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.
Shkaku kryesor për këtë duket të jetë bërë marrëdhënia që ka Beogradi me Moskën, ndërkohë që ministrja serbe për Integrimin në BE, Jadranka Joksimoviç deklaroi se hapja e kapitullit në fjalë nuk pritet të ndodhë brenda këtij viti.
“Procedura negociuese është e tillë që, nëse brenda mesit të vitit aktual mëson se raporti nuk është miratuar, atëherë është më se e qartë se do të jetë vështirë që kapitulli të hapet deri në fund të vitit”, tha Joksimoviç për “Vecernje Novosti”, teksa është pyetur mbi mundësinë e hapjes së kapitullit të 31-të dhe përse raporti “skanues” po vonon prej 4 vitesh.
“Kapitulli i 31-të, zakonisht nuk është shumë kërkues, por duke parë komplikacionet e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe faktin që vet shtetet e BE-së duhet të bien dakord dhe të arrijnë konsensus mbi një sërë çështjesh, pritshmëritë nga disa vende anëtare kundrejt vendeve kandidate kanë ndryshuar”, tha ministrja, njofton Top Channel.
E pyetur gjithashtu nëse Lituania është e vetmja anëtare e BE-së që del kundër Beogradit për hapjen e këtij kapitulli, Joksimoviç deklaroi se, bazuar në rregulloren e bllokut, raporti skanues për këtë kapitull është subjekt i një debati diplomatik me dyer të mbyllura mes 28 vendeve anëtare.
“Duhet të kuptojmë se, në vlerësimin e secilës prej çështjeve të rëndësishme të politikës së jashtme dhe sigurisë së një vendi anëtar, ata procedojnë bazuar mbi interesat e tyre kombëtare, e më pas ngrihet me konsensus në nivelin e politikës së përbashkët të BE-së. Vendi kandidat pritet që të ravijëzojë qëndrimet e tij me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, gradualisht”, tha Joksimoviç.