Në seancën e jashtëzakonshme e mbajtur sot ku u debatua për vërshimet në komunën e Podujevës, u zhvillua edhe një debat i ‘ashpër’ ndërmjet Rafet Llapashticës nga PDK dhe Mirsad Kamerolli nga LDK, raporton Llapi.info
E gjithë kjo nisi kur Rafet Llapashtica tha se Kamerolli nga LDK ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi një kanal shkarkues.
“Drejtori i Shërbimeve Publike dha një arsyetim që vërshimet po vinë prej uzurpimeve të pronës, prej hedhjeve të mbeturinave në lumenjtë. Prej ndërtimeve pa leje, e këtë përgjigje për këto probleme duhet ta marrësh prej drejtorit të inspeksionit të cilët këtë mandat nuk e kem, e në mandatin e kaluar ka qenë nga LDK. Shkojmë në Qendrën e Zjarrfikëseve merre planin Emergjent edhe le të dalim te shtëpia e Mirsad Kamerollit ku është ‘Agnesa’ ka qenë një kanal shkarkues i qytetit i cili është blloku me shtëpinë tënde se e ke ndërtu mbi të.” tha Llapashtica.
Ndërsa, Kamerolli nga vendi ia kthente “Edhe është kanali, s’është e vërtetë, e din ti mirë, është e turpshme se çka je tu fol”.
Tutje Llapashtica tha “Prej ‘Agnesës’ e lumit që vjen, deperton te rruga ‘Skënderbeu’ edhe pjesa që vjen prej lartit atu, ngulfatet te fotoja e treguar nga Bajram Ajeti.” ishin fjalët e Llapashticës.
E kujtojmë se Ajeti i tregoi një foto Kamerollit, ku pranë shtëpisë së tij dhe e gjithë lagjja ka qenë e vërshuar nga uji.
Megjithatë, Llapashtica vazhdonte me këmbëngulje duke thënë “E marrim Drejtorin e Qendrës së Zjarrfikëseve, e marrim drejtorin e Shërbimeve Publike, e komisione të Emergjencave edhe shkojmë te ‘Agnesa’ edhe shikojmë qysh është blloku ai kanal shkarkues. Shkojmë te vendi, për me zhblloku duhet me rrënu atë se është pa leje” tha Llapashtica.
E menjëhershme ishte replika e Kamerollit ku i frustruar në foltore tha se e gjitha se çfarë tha Llapashtica janë shpifje.
“Shkojmë kur dush, kur dush. Është për keqardhje që pjesë e debatit po bëhet prona private. Dëgjomë është e turpshme ajo çka dëgjova prej teje. Edhe vet jam i rrezikuar nga vërshimet. Ka probleme me vërshime se ajo lagje është ndërtuar nër nivelin e lumit. E din mirë ti ku janë problemet, por ti je i tillë, ki qef me shpif. Burrë urdhëro, me mbështetjen tonë shkojmë e shohim a është a nuk është ashtu siç thua ti. Me gojën plotë po shpif.” përfundoi Kamerolli./Llapi.info