Llapi ka regjistruar edhe humbjen e dytë rresht në kampionat, pasi që në udhëtim është mposhtur nga Drita me rezultat 2-0, njofton Llapi.info.
Me këtë humbje, klubi nga Podujeva ka vetëm një pikë në tri ndeshjet e fundit.
Në pjesën e parë të ndeshjes, mysafirët nga Podujeva dominuan në Gjilan, por që rastet s’arritën t’i konkretizonin me gol. Fillimisht provoi Valmir Veliu (8)’, e më pastaj goditjet e Mërgim Pefqelit (30’) dhe Arbnor Ramadani (35’), i ndali portieri i gjilanasve, Darko Tofiloski. Me rezultat 0-0 përfundoi pjesa e parë në stadiumin “Selami Osmani” të Gjilanit.
Për dallim nga 45-minutëshi i parë, pjesa e dytë u takoi nikoqirëve. Pas disa rasteve për shënim, Betim Haxhimusa zhbllokoi rezultatin në minutën (75’) për t’i dhuruar epërsinë e parë ekipit të Dritës. Krejt në fund të duelit, Erjon Vuca realizoi për 2-0. Njëherësh ky ishte edhe epilogu përfundimtar i ndeshjes.
Pas kësaj humbje, Llapi vazhdon t’i ketë vetëm 24 pikë në vendin e pestë dhe tashmë gjasat për titull janë zvogëluar, kurse Drita arrin në kuotën e 31 pikëve në vendin e dytë dhe mbetët në hap me konkurrentët për titullin kampion.
Në xhiron e radhës, Llapi e pret në ‘Zahir Pajaziti’ Flamurtarin, kurse Drita udhëton në Mitrovicë për t’u ndeshur me Trepçën ’89./Llapi.info