Llapi ka barazuar 2-2 në ndeshjen kthyese ndaj ekipit malazez, Buducnost, në kuadër të Ligës së Konferencës, shkruan Llapi.info.

Të parët që kaluan në epërsi ishin mysafirët malazezë që realizuan gol qysh në minutën e 23’ me anë të Viktor Gjukanoviqit.

Llapjanët arritën ta barazonin rezultatin në minutën e fundit të pjesës së parë, kur i saktë nga penaltia u tregua Alef Firmino.

Me rezultatin 1-1 u mbyll pjesa e parë në “Fadil Vokrri”  – ndeshje kjo që u karakterizua me një numër të madh tifozësh shqiptarë.

Në 45-minutëshin e dytë, ekipi nga Mali i Zi shënoi edhe një herë në portën e skuadrës nga “Zahir Pajaziti”. Ishte sërish Viktori Gjukanoviq që shënoi në minutën e 65’.

Llapi barazoi rezultatin në minutën e 71’ me anë të Albion Kurtajt.

Skuadra nga Podujeva pati mundësinë ideale për të kaluar në epërsi në minutat e fundit, por Festim Alidema u tregua i pasaktë nga 11-metërshi.

Me rezultat përgjithshëm 4-2 në të mirë të malazezëve u mbyll kjo ndeshje, që ia siguron Buducnostit kalimin në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës./Llapi.info