Skuadra e Llapit e cila është pjesë e Supërligës në futboll kosovar, mund të konsiderohet si befasia më e mirë e këtij edicioni. Kjo për faktin që ky ekip pas inkuadrimit nga Liga e Parë në Superligë tani më pozicionohet në vendin e dytë në tabelë.
Për këtë sukses të llapjanëve ka folur mbrojtësi i kësaj skuadre, Dardan Jashari, i cili po kalon në formë shumë të mirë.
“Forma e mirë nëpër të cilën po kalojmë është si rezultat i punës që është bërë para inkuadrimit ne Superligë. Këtë vrull të punë e kemi vazhduar edhe në fazën përgatitore para fillimit të Kampionatit të Superligës”.
“Kemi një ekip të komponuar mirë dhe me lojtarë mjaft të rinj. Angazhimi maksimal i të gjithëve në secilën ndeshje ka bërë që edhe rezultatet e mira mos të mungojnë dhe të renditemi në pozitën e dytë”.
“Mendoj dhe shpresoj që edhe në ndeshjet në vazhdim të shfaqim lojëra të mira dhe të arrijmë rezultate sa me pozitive”, u shpreh për KosovaLive, Jashari.
Llapi pas zhvillimit të 15-të xhirove në Ligën elitare pozicionohet në pozitën e dytë të tabelës me vetëm dy pikë më pak se lideri aktual Feronikeli.