Llapi ka arritur t’i marrë tri pikë të mëdha ndaj Ballkanit – në xhiron e pesëmbëdhjetë të Superligës së Kosovës, raporton Llapi.info.

Ekipi nga Podujeva shënoi fitore ndaj kampionit në fuqi, Ballkanit, me rezultat të përgjithshëm 4-1.

Serinë e golave e hapi Fernandinho kur po zhvillohej minuta e (7’) e ndeshjes. Në minutën e (36’), Francisco Rivera realizoi për 2-0, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Edhe pjesa e dytë u takoi djelmoshave llapjanë. Ishte Francisco Rivera që ngriti shifrat në 3-0, në minutën e (77’).

Për 4-0 u përkujdes Gerard Progni, i cili shënoi në minutën e (90’) nga gjuajtja e lirë.

Vendasit arritën ta realizonin golin e nderit pak para përfundimit të ndeshjes.

Pas kësaj fitoreje, Llapi arrin në kuotën e 19 pikëve dhe pozicionohet në pozitën e pestë në tabelë, kurse Ballkani ka 27 sosh në vendin e dytë.

Xhiron e radhës, Llapi e zhvillon në “Zahir Pajaziti”, duke pritur Gjilanin – e në anën tjetër, Ballkani i shkon Ferizajt./Llapi.info