Llapi do të zhvillojë ndeshjen e parë historike në garat evropiane, të enjten kundër Shkupit.
Ndeshja e parë kualifikuese e rrethit të parë në Ligën e Evropës do të zhvillohet në stadiumin ‘Filipi 2’.
Ndonëse tifozët e Llapit nuk janë lejuar të udhëtojnë në formë të organizuar, ata kanë gjetur mënyra për të përkrahur ekipin.
Sekretari i Llapit, Muhamet Rexhepi thotë se rreth 10 mijë njerëz do të jenë të pranishëm në tribuna.
“Tifozët tanë po shkojnë vetë po blejnë bileta në Shkup. Nuk e dimë saktë sa mbështetës do t’i kemi në stadium sepse neve nuk na kanë lejuar të bëjmë organizim në grup, për shkak të Covid-19. 30% e kapacitetit të stadiumit do të lejohet apo rreth 10 mijë tifozë” deklaroi Rexhepi për Indeksonline.
Ai shtoi se për ndeshjen e kthimit që zhvillohet pas një jave në Podujevë, Llapi ende nuk ka vendosur nëse do të lejojë tifozë apo jo.