Ekipi nga “Zahir Pajaziti”, KF Llapi, ka fituar të mërkurën mbrëma ndeshje finale ndaj Dukagjinit për t’u kurorëzuar me trofeun e Kupë së Kosovës, raporton Llapi.info.
Llapi e ka fituar Kupën pas ekzekutimit të penalltive 4:3, derisa koha e rregullt dhe ajo dy herë nga 15 minuta përfundoi baras.
E trofeun e çmueshëm, klubi llapjan e ka dërguar sot përpara varrit të legjendës së futbollit, Fadil Vokrri.
“Trofeu dërgohet pranë varrit ku prehet shpirti i legjendës Fadil Vokrri. Kryesia e klubit sot ishte në vizitë tek varri i legjendës Fadil Vokrri dhe bëri homazhe pranë varrit të tij, njëherit në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë për futbollin kosovar dhe pranimin e futbollit në instancat e larta të UEFA- dhe FIFA-s”, thuhet në njoftim e klubit.
Me triumfin në Kupë, ekipi nga Podujeva ka siguruar edhe daljen në Evropë, përkatësisht në Ligën e Konferencës./Llapi.info