Llapi dhe Gjilani kanë barazuar me rezultat 1-1 në xhiron e 25-të të Superligës së Kosovës në futboll, raporton Llapi.info.

Ishin mysafirët nga Podujeva që realizuan të parët, kur po zhvillohej minuta e 35’ e takimit me anë të Francisco Riverias. Me rezultat 0-1 në të mirë të llapjanëve u mbyll pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, Llapi mbeti me një lojtar më pak, pasi realizatori i golit, Francisco Riveria u ndëshkua me karton të kuq, pas një ndërhyrje të ashpër.

Epërsinë numerike në fushë e shfrytëzuan nikoqirët, të cilët arritën të barazonin shifrat në 1-1, krejt në fund të ndeshjes (90+1). Ishte Shend Kelmendi që tundi portën e Llapit për rezultatin final 1-1.

Me këtë barazim, Llapi ka 41 pikë të tubuara dhe pozicionohet në vendin e katërt, ndërkohë që Gjilani ka 48 sosh në vendin e dytë.

Në xhiron e radhës, Llapi e pret në “Zahir Pajaziti” Dukagjinin, derisa Gjilani i shkon Malishevës./Llapi.info