Llapi ka shënuar fitore si vendase në derbin e xhiros së 20-të në elitën e futbollit kosovar, duke mposhtur Prishtinën 1-0 në stadiumin “Zahir Pajaziti”, njofton Llapi.info
Vendasit takimin e nisën mirë, ku pas 25 minutave lojë, sulmuesi Ahmed Januzi rrezikoi portën nga një gjuajtje me kokë, por që portieri Visar Bekaj ia mohoi golin. Me rezultat 0-0 përfundoi pjesa e parë.
Me të nisur pjesa e dytë, ishin llapjanët që rrezikuan, teksa golin e gjetën në minutën (47), me anë të sulmuesit Ahmed Januzi.
Pas këtij goli, llapjanët rrezikuan disa herë portën kundërshtare, por që rastet e volitshme nuk u konkretizuan me gol nga Miran Maksuti dhe Ahmed Januzi.
Skuadrat patën edhe disa raste shënimi deri në fund të ndeshjes, por që epilogu përfundimtar mbeti 1-0. Ndërsa në minutën e 96-të, Armend Dallku u ndëshkua me karton të kuq.
Pas kësaj fitoreje, Llapi arrin në kuotën e 41 pikëve, dy më pak se Prishtina që radhitet në pozitën e dytë.
Në ndeshjen e radhës Llapi do të jetë mysafir i Gjilanit, ndërsa Prishtina pret Feronikelin./Llapi.info