Llapi ka arritur të arkëtoj pikë të plota në udhëtim te skuadra e KEK-ut në Obiliq, njofton Llapi.info

Në ndeshjen e parë hapëse të stinorit pranveror, në stadiumin “Agron Rama”, Llapi ka mposhtur KEK-un me rezultat 0-3.

Në minutat e parë të ndeshjes, ishin llapjanët të cilët patën disa raste shënime, ndërsa goli erdhi në minutën e (37), ku nga pika e bardhë i saktë u tregua, Mentor Zhdrella.

Vetëm dy minuta më vonë, vendasit mbetën me një lojtar më pak, pasi direkt me të kuq u ndëshkua Tërvioll Stullqakun, pas ndërhyrjes në Mentor Zhdrellën.

Krejt në fund të pjesës së parë, pas një gabimi në mbrojtje për rezultatin 0-2 realizoi kapiteni Hamdi Namani. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë.

Edhe në 45-minutëshin e dytë ishte klubi nga Podujeva që dominoi, duke provuar me Remzifaik Selmanin dhe sulmuesin Festim Alidema, por pa konkretizim, derisa KEK-u rastin e vetëm e pati në minutën e (75). Ishte Arbnor Ramadani që shënoi në minutën (89) për rezultatin final 0-3, duke vulosur fitoren e parë të këtij stinori për klubin nga Podujeva.

Me këtë fitore, Llapi arrin në kuotën e 38 pikë të tubuara, dy më pak se lideri Prishtina dhe një më pak se Feronikeli që kanë një ndeshje më pak të zhvilluar. Ndërsa, KEK-u radhitet në pozitën e fundit me vetëm një pikë të grumbulluar.

Në ndeshjen e radhës Llapi i shkon Feronikelit./Llapi.info