Xhiro 21 e Superligës servon superderbin ndërmjet Llapit dhe Hajvalisë, dy prej skuadrave kryesore që mëtojnë titullin e kampionit.
Hajvalia është lidere me 37 pikë, kurse Llapi ka tri më pak.
Kjo ka bërë që në Podujevë interesimi për këtë ballafaqim të jetë i jashtëzakonshëm e për këtë nuk do të mungojnë as risitë.
Sekretari i klubit të Llapit, Muhamet Rexhepi ka deklaruar për Infopress se të dielën do të jetë një organizim më ndryshe i takimit.
Përveç mobilizimit të tifozëve, “Legjendat”, do të ketë edhe diçka të veçantë që do të kuptohet vetëm në ditën e ndeshjes.
“Jemi duke përgatitur diçka ndryshe për këtë ndeshje. Përgatitjet kanë filluar. Do ta shihni të dielën”, theksoi Rexhepi për Infopress.
Ndryshe, Llapi është tejet i motivuar për këtë ballafaqim, veçmas pas dy fitoreve rreth me rezultat të thellë, 5:0 ndaj Istogut dhe 4:0 ndaj Gjilanit.
Duelin e së dielës që nis nga ora 13:30, Llapi – Hajvalia e drejtojnë gjyqtarët Genc Nuza, Driton Preniqi, Fatlum Berisha dhe Hajriz Hajdari.