Skuadra e Llapit brenda tri ditësh ka mposhtur dy rivalët kryesorë në luftën për pozitën e dytë në Vala Superligën e Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Pas triumfit ndaj Prishtinës (2:1), të dielën e shkuar, Llapi të mërkurën e mposhti edhe kampionin e sezonit të shkuar, Ferronikelin. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” të Podujevës, që i takoi xhiros së 30-të, përfundoi me shifrat 2:0 në të mirë të Llapit.

Valon Zeqiri (45′) e Mirlind Daku (80′) shënuan për fitoren e vendësve. Me këtë fitore të Llapit, lufta për nënkampion të Vala Superligës është nxehur edhe më shumë kur deri në fund të këtij edicioni kanë mbetur edhe tri xhiro.

Aktualisht, pozitën e dytë në tabelë e mban Prishtina me 63 pikë, e ndjekur nga Llapi (62) dhe Ferronikeli (61). Titullin e kampionit tashmë e ka siguruar skuadra e Trepçës ’89 që po bëhet gati për pjesëmarrje në eliminatoret e Ligës së Kampionëve.

Gjërat priten të bëhen më të qarta këtë vikend sa i përket pozitës së dytë kur katër ekipet e para do të përballen mes vete.