Java e 27-të në elitën e futbollit kosovar takon Llapin dhe Gjilanin, njofton Llapi.info
Ndeshja e kësaj xhiroje luhet në stadiumin e qytetit të Podujevës, “Zahir Pajaziti”, me fillim nga ora 15:30.
Në këtë duel, Llapit i duhen pikët maksimale për të mbetur në garë për t’u shpallur kampion, teksa pikët e plota i kërkon edhe Gjilani për t’i ikur akoma më shumë barazhit.
Llapjanët në këtë ndeshje vijnë pas fitores në udhëtim te KEK-u, ndërsa Gjilani barazoi pa gola në derbin lokal të xhiros së 26-të, kundër Dritës.
Bardhëekaltrit nga Podujeva përballë gjilanasve kanë bilanc pozitiv, duke i mposhtur në të dyja takimet e këtij edicioni.
Ndërkohë, Llapi numëron 57 pikë në vend të tretë, dy më pak se Prishtina që radhitet në pozitë të dytë e 5 më pak se lideri Feronikeli, kurse Gjilani gjendet në pozitën e shtatë me 35 pikë./Llapi.info