Llapi sot është mysafir i Vushtrrisë në javën e 12-të të Superligës së Kosovës në futboll, xhiro kjo e cila hap edhe fazën e dytë në kampionat, njofton Llapi.info.

Bardh e kaltrit nga Podujeva kërkojnë këndelljen në këtë takim pas disfatës së pësuar në mesjavë. Përballë llapjanëve do të jetë ekipi i fundit në tabelë, ndeshje kjo e cila pritet të fillojë nga ora 14:00 në stadiumin “Ferki Aliu” të vushtrriasve.

Në xhiron e parë të zhvilluar në ‘Zahir Pajazitit’ të Podujevës, Llapi e mposhti bindshëm Vushtrrinë me rezultat 4-1.

Për këtë duel, tekniku llapjan, Tahir Batatina ka në dispozicion edhe mesfushorin kryesor të klubit, Mentor Zhdrellën që mungoi në dy ndeshjet e fundit për shkak të suspendimit. “Legjendat” kërkojnë tre pikë të plota në këtë ndeshje për të qenë në hap me ekipet lidere, teksa synim të njëjtë kanë edhe nikoqirët që sadopak për t’u larguar nga zona e rrezikshme.

Pas 11 javëve, Llapi radhitet në pozitën e pestë me 20 pikë, katër pikë larg kreut të tabelës, ndërsa Vushtrria e gjen vetën në pozitën e fundit me vetëm 6 pikë të arkëtuara.

Besfort Kasumi, i asistuar nga Bujar Selimaj dhe Lumturije Muhadri, do ta ndajnë drejtësinë në këtë përballje./Llapi.info