Llapi ka shënuar fitore të rëndësishme në shtëpi, duke triumfuar me rezultat 2-1 ndaj Gjilanit, raporton Llapi.info.
Ndeshja nisi mirë për llapjanët të cilët kaluan në epërsi qysh në minutën e 2’ të takimit, pasi Arbnor Ramadani shënoi nga 11-metërshi.
“Skifterët” provuan të barazojnë rezultatin në minutën e 13’ nga goditja e lirë, por në vend u tregua portieri i Llapit, Giacomo Nava.
Ekipi nga Podujeva realizoi edhe golin e dytë nëpërmjet Ersil Ymerit, kur po zhvillohej minuta e 38’ e ndeshjes, duke ngritur shifrat në 2-0. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë në “Zahir Pajaziti”.
Në pjesën e dytë, mysafirët nga Gjilani ishin më këmbëngulës në kërkim të golit, duke rrezikuar disa herë portën e nikoqirëve.
Pas disa dështimesh, Gjilani ngushtoi epërsinë në minutën e 71’, pasi Darko Nikaç realizoi nga afërsia. Deri në fund të ndeshjes, skuadrat patën disa raste shënimi, por që epilogu përfundimtar mbeti 2-1 në favor të llapjanëve.
Me këtë fitore, Llapi arrin në kuotën e 34 pikëve dhe radhitet në pozitën e pestë, e në anën tjetër me këtë disfatë, gjilanasit kanë 41 pikë në pozitën e tretë të tabelës./Llapi.info