Kampioni në fuqi, Llapi ka kaluar sot në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, pasi ka mposhtur në shtëpi Gjilanin me rezultat të pastër 2-0, raporton Llapi.info.
Pjesa e parë e zhvilluar në “Zahir Pajaziti”, solli disa raste shënimi për të dyja skuadrat. Nikoqirët llapjanë realizuan në minutën e 44’, por goli i Alban Shillovës u anulua nga gjyqtari kryesor, Genc Nuza. Me rezultat të barabartë 0-0 u mbyll pjesa e parë.
Edhe në të dytën, ishin nikoqirët që dominuan. Golin epërsisë llapjanët e gjetën tek në minutën e 84’ me anë të Drilon Fazliut, i cili shënoi me kokë.
Për epilogun përfundimtar 2-0 u përkujdes Alef Firmoni në minutat shtesë të ndeshjes, pas një asistimi nga Valmir Veliu.
Me këto dy gola, ekipi nga Podujeva ia doli të sigurojë kalimin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës./Llapi.info