Llapi ka arritur të shënojë fitore 1-0 kundër Prishtinës në stadiumin e kryeqytetit “Fadil Vokrri”, raporton Llapi.info.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me disa raste shënimi. Fillimisht vendasit rrezikuan në minutën e 25’ me sulmuesin Ahmed Januzi, por goditja e tij përfundoi në traversë. Prishtinasit u munduan edhe me Gauthier Mankenda 27’ dhe Leutrim Bekteshi 29′, por rastet nuk u konkretizuan me gol.
Për dallim nga Prishtina, Llapi në mundësinë e parë të volitshme e gjeti golin e epërsisë me anë të sulmuesit Sebino Plaku, kur po zhvillohej minuta e 32’ e lojës në Fadil Vokrri.
Deri në fund të pjesës së parë skuadrat patën disa raste shënimi, por që rezultati pas 45-minutave mbeti 0-1 në favor të llapjanëve.
Edhe pjesa e dytë solli mjaft raste, por që epilogu përfundimtar mbeti 0-1, kështu ekipi nga Podujeva regjistroi fitoren e dytë në këtë fillim edicioni.
Pas kësaj fitore, Llapi arrin në kuotën e 7 pikëve dhe radhitet në vendin e dytë, ndërsa Prishtina ka vetëm një pikë dhe ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Në duelin tjetër, Llapi e pret në “Zahir Pajaziti” Dritën e Gjilanit, kurse Prishtina udhëton në Mitrovicë për t’u ndeshur me Trepçën ’89./Llapi.info